Çfarë tha Kurti?
Albin Kurti tha se partisë së tij i duhet më shumë kohë për të gjetur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, një post kyç në gjithë ngërçin politik pothuajse dyvjeçar.
“Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet pajtueshmëri sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria, për të cilën u betuam sot. Konstituimi i kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë”.
Ai shtoi: “Andaj, i nderuari kryesues, Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t`ju japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”.
Sa për t’jua kujtuar, Kurti është në bisedime me LDK-në për një marrëveshje politike, por takimet e deritanishme nuk kanë sjellë fryt.
Nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit që votimi për president të jetë i vlefshëm.
Këta numra nuk i ka e vetme asnjë parti.
Hamza për shtyrjen e seancës: Mungesë serioziteti na Lëvizja Vetëvendosje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj vendimit për shtyrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Shtyrja u bë me kërkesë të Albin Kurtit, kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), njëkohësisht kryeministër në detyrë.
Hamza duke folur për gazetarët në holl të Kuvendit e quajti papërgjegjësi këtë vendim.
“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit nga partia që ka fituar shumicën e votave. Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet”, tha Hamza.
I pyetur nëse do të shqyrtonin një takim me LVV-në, Hamza tha se nuk kanë nevojë për takime “pa rezultat”.
“Nuk kemi nevojë të takohemi. Ne kemi deklaruar rolin tonë që do të jemi parti në opozitë”, tha Hamza.
Zemaj: LDK nuk ishte në njohuri për planet e shtyrjes së seancës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosoës, reagoi ndaj vendimit për shtyrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, LDK-ja nuk ka qenë “as e njoftuar as e informuar”.
“Ky është Albin Kurti. Ai din edhe të debatojë edhe të hapë fushatë elektorale edhe të kërkojë kohë shtesë, duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit”, tha ai.
Sa i përket mundësisë për një marrëveshje politike me LVV-në, Zemaj tha se shpresonqë brenda ditës së sotme “mund të ketë lëvizje pozitive”.
Ehat Miftaraj: Vendi nuk shkon në zgjedhje edhe nëse nuk konstituohet Kuvendi
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, mos realizimi i kësaj "nuk prodhon automatikisht pasoja juridike".
Kjo do të thotë se jo domosdoshmërisht duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik 2026.
Sipas tij, kjo situatë “delegjitimon gjithçka”, ndërsa nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 tetor, vendi shkon në zgjedhje.