Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion, i kryesuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, do ta shqyrtojë atë.
Qorrolli ka njoftuar se në mbledhjen e komisionit do të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.
Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë verdiktin për akuzat për krime lufte.
Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës dha mendimin e saj për nismën, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.
Sipas Qeverisë, vlerësimi përfshiu përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe çështjet juridike të përmbajtjes së projektligjit.
Shqyrtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
PDK-ja e ka lidhur mbështetjen e saj për zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha më 3 tetor se partia e tij është e gatshme të diskutojë për presidentin dhe të japë votat e saj menjëherë pas miratimit të ligjit.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.
Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota. Nëse asnjëri kandidat nuk i merr 80 votat, në rundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë, pra 61 vota, ndërsa për të tri rundet duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
LVV-ja, me 53 deputetë, tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputetin Nenad Rashiq, kishte 62 vota për formim të qeverisë. Nëse kësaj shifre do t’i bashkoheshin edhe 22 deputetët e PDK-së, numri do të shkonte në 84 vota, duke kaluar pragun prej 80 votash.
Ndryshimet ligjore janë kërkuar në kohën kur në Kosovë po zhvillohen protesta të përnatshme kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit.
Protestuesit, përmes thirrjes “Jo në emrin tim”, kanë kërkuar ndër të tjera edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.