Ndërlidhjet

Ligjvënësit amerikanë me projektligji për masa ndaj Serbisë për shkak të demokracisë, Rusisë dhe Kinës

Ndërtesa e Kongresit amerikan. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ndërtesa e Kongresit amerikan. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë paraqitur një projektligj që i kërkon SHBA-së të ndërmarrë masa ndaj Serbisë për shkak të “prapakthimit serioz” në demokraci dhe sundimin e ligjit në vend, si dhe bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin sanksione financiare dhe të vizave ndaj aktorëve malinj që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj personave që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të cilësdo zonë apo shteti në rajon, thuhet në projektligjin, – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë – të paraqitur nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating.

Sipas projektligjit, ai do të quhet “Ligji për Mbështetjen e Sundimit të Ligjit, Ndërtimin e Drejtësisë Institucionale dhe Përgjegjshmërinë”, përkatësisht “SRBIJA Act” (Supporting the Rule of law, Building Institutional Justice, and Accountability Act).

Në projektligj kërkohen sanksione edhe ndaj personave që në Ballkanin Perëndimor marrin pjesë në minimin e proceseve dhe institucioneve demokratike, korrupsion, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ose veprime që pengojnë marrëveshjet rajonale dhe kornizat për sigurinë, paqen, bashkëpunimin ose njohjen reciproke.

Republikani Wilson, lidhur me paraqitjen e projektligjit, tha se “nën presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, Serbia po largohet qëllimisht gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës [presidenti rus Vladimir] Putin, Partia Komuniste e Kinës dhe regjimi terrorist në Teheran”.

“Pavarësisht protestave të përhapura gjerësisht kundër korrupsionit, Qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, tha Wilson.

Në projektligj po ashtu përmenden raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Aty kërkohet që SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë mbështetje për përparimin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në përputhje me Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, që vitin e kaluar u sponsorizua nga përfaqësuesi demokrat, William Keating, mes tjerash, përcakton se “është politikë e Qeverisë së SHBA-së që të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimin e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve të rajonit”.

Kushtëzimi i Dialogut Strategjik SHBA-Serbi

Sipas projektligjit të paraqitur nga Wilson dhe Keating, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duhet të pezullojë pjesëmarrjen në Dialogun Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, përveç nëse gjatë takimeve në kuadër të këtij procesi ngre çështjet e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin; sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta; luftës kundër korrupsionit, prokurimit publik dhe reformës së sundimit të ligjit, si dhe forcimit të qeverisjes demokratike, lirisë së shtypit dhe lirisë së tubimit.

Jo më vonë se dhjetë ditë para një takimi në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, sekretari i Shtetit duhet t’u paraqesë me shkrim Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit një konfirmim se këto çështje do të ngrihen, si dhe një pasqyrë të detajuar të mënyrës se si sekretari i Shtetit ose përfaqësuesi përkatës i Departamentit të Shtetit planifikon t’i ngrejë këto çështje gjatë takimit në kuadër të Dialogut, thuhet në projektligj.

Në rast se sekretari i Shtetit nuk e paraqet konfirmimin për këto kërkesa, sipas projektligjit, asnjë zyrtar i Departamentit të Shtetit nuk do të autorizohet të marrë pjesë në Dialogun Strategjik SHBA-Serbi dhe as të shpenzojë fonde buxhetore të miratuara për këtë qëllim.

Çfarë thotë projektligji për gjendjen në Serbi?

Sipas projektligjit, Serbia ka shënuar një prapakthim serioz në fushën e demokracisë, gjë që pasqyrohet në Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024 dhe Raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë për vitin 2025, ku përmenden probleme të mëdha me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe korrupsionin.

“Qeveria e Serbisë, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe koalicionit qeverisës, iu është përgjigjur protestave, të udhëhequra nga studentët dhe qytetarët, me masa që vëzhguesit ndërkombëtarë, Parlamenti Evropian dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara i kanë karakterizuar si masa që përfshijnë përdorim të tepruar të forcës, arrestime të protestuesve dhe presion ndaj mediave të pavarura”, thuhet në tekstin e projektligjit.

Aty shtohet se Qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të thellimit të lidhjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë me Rusinë dhe Kinën, ndonëse formalisht ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në projektligj thuhet se shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe të cilën shumë qytetarë të Serbisë ia atribuojnë neglizhencës së lidhur me korrupsionin në kontraktimin e infrastrukturës shtetërore, kërkon një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur.

Duke theksuar se SHBA-ja ka interes të përhershëm për një Serbi të qëndrueshme, demokratike dhe sovrane, të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe të rreshtuar fuqishëm nga institucionet euroatlantike dhe të çliruar nga ndikimi malinj i jashtëm, projektligji kërkon që sekretari i Shtetit të ushtrojë presion ndaj Qeverisë së Serbisë për të mundësuar hetime të pavarura dhe të besueshme për tragjedinë në Novi Sad dhe akuzat për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve paqësorë, si dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë zyrtarët për të cilët konstatohet se janë përgjegjës.

Përveç theksimit të lidhjeve të Beogradit me Kinën dhe Rusinë, në tekst thuhet se Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit, si dhe se Qeveria e Serbisë dërgoi një ministër në Teheran si të dërguar personal të Vuçiqit në funeralin e ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, duke iu bashkuar delegacioneve nga Rusia dhe Kina në një kohë kur shumica e qeverive evropiane nuk kishin përfaqësuesit e tyre.

Edhe EXPO në projektligj

Projektligji kërkon që, jo më vonë se 180 ditë nga hyrja e tij në fuqi, në rast se miratohet, sekretari i Shtetit, në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare dhe sekretarin e Mbrojtjes, t’u paraqesë komiteteve të Kongresit një raport mbi shtrirjen e ndikimit politik, ekonomik, energjetik dhe të sigurisë të Rusisë në Serbi.

Raporti duhet të përfshijë gjithashtu shtrirjen e lidhjeve investuese, infrastrukturore, si dhe politike dhe të sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, përfshirë të gjitha implikimet për interesat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si dhe masën në të cilën lidhjet e ngushta ekonomike, politike dhe të tjera të Serbisë me Rusinë dhe Kinën kërcënojnë interesat e SHBA-së.

Përveç kësaj, sekretari i Shtetit, në koordinim me drejtuesit e agjencive të tjera federale, duhet që jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit, t’u paraqesë komiteteve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat objektiva specifike për angazhimin dypalësh që pasqyrojnë mjedisin politik në Serbi, përfshirë një vlerësim se si Dialogu Strategjik SHBA-Serbi do të kontribuojë në realizimin e këtyre objektivave.

Kjo duhet të përfshijë një vlerësim se deri në çfarë mase politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Qeverisë së Serbisë mbetet në përputhje me politikat e NATO-s dhe BE-së ose është larguar prej tyre, përfshirë edhe përmes lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

Në këtë kontekst, sekretarit të Shtetit i kërkohet gjithashtu të vlerësojë burimet dhe mjetet në dispozicion të partnerëve të huaj për mbështetjen e mediave të pavarura, shoqërisë civile dhe reformës së gjyqësorit në Serbi, të vlerësojë nëse Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë hapa të besueshëm për hetimin e tragjedisë në Novi Sad dhe akuzave për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, si dhe konsultimet dypalëshe për çështjet e korrupsionit, prokurimit publik dhe sundimit të ligjit, përfshirë edhe në kontekstin e ekspozitës EXPO 2027.

Çfarë mund të fitojë Serbia?

Sipas projektligjit, nëse Qeveria e Serbisë ndërmerr hapa për forcimin e rrugës euroatlantike, përfshirë një hetim të besueshëm dhe të pavarur për shembjen e strehës prej betoni në Novi Sad dhe kërkimin e llogaridhënies për përdorimin e tepruar të forcës ndaj protestuesve paqësorë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duhet të ndërmarrë hapa për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë veprime për forcimin e institucioneve demokratike të Serbisë dhe qëndrueshmërisë së saj ndaj ndikimeve të dëmshme të huaja.

Presidenti duhet gjithashtu të ruajë dhe, sipas nevojës, të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Serbinë, në përputhje me harmonizimin e Serbisë me prioritetet e sigurisë së NATO-s dhe BE-së.

Më tej, sekretari i Shtetit duhet të synojë të avancojë më tej kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe shkëmbimet akademike ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.

Që ky projektligj të shndërrohet në ligj, ai duhet të marrë mbështetjen e dy dhomave të Kongresit amerikan.

XS
SM
MD
LG