Ndërlidhjet

Në kërkim të 12 sulmuesve të Kuvendit


Protestuesit brenda ambientit të Kuvendit të Maqedonisë, 27 prill 2017

Organet e rendit janë në kërkim edhe të 12 personave të dyshuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ai është paraqitur para mediave dy ditë pas arrestimit të 19 personave dhe gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët janë lënë të lirë deri në përfundim të procedurës për marrjen e imunitetit nga Kuvendi i Maqedonisë.

Por, kreu i dikasterit të brendshëm nuk ka ofruar të dhëna shtesë për aksionin e përmasave të gjera të policisë maqedonase.

"Janë lëshuar urdhra për ndalimin e 36 personave, 12 ende janë të pakapshëm, por besojmë se ndodhen në Maqedoni. Informacione shtesë nuk mund të ndajmë me opinionin”, ka deklaruar Spasovski.

Ndërkohë, Komisioni për çështje të mandateve dhe të imunitetit, me kërkesë të Gjykatës Penale, i ka propozuar Kuvendit marrjen e imunitetit deputetëve të VMRO DPMNE-së: Krste Mukoski, Johan Tarçullovski, Luben Arnaudov, Zhaklina Peshevska, Sasho Vasilevski dhe Lupço Dimovski.

Procedura duhet të kalojë edhe në seancë plenare, por bazuar në reagimet e VMRO-së, ajo mund të zgjasë, pavarësisht kërkesës së Gjykatës për veprim të shpejtë.

“Më 27 prill shumë kolegë tanë ishin lënduar, keqtrajtuar, ishin zënë peng, akt ky që është në kundërshtim me të gjitha parimet morale, por edhe aktet pozitive të Kuvendit. Gjendja është shumë e pastër, faktet janë të dukshme, argumentet në anën tonë”, ka deklaruar deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski. Ai ka kërkuar përgjegjësi për gjithë atë çfarë kishte ndodhur në Kuvend. Në seancën e Komisionit për mandate dhe imunitete nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e VMRO-së.

Lidhur me ngjarjet e 27 prillit dhe arrestimet e personave të dyshuar për pushtimin e Kuvendit dhe sulmet ndaj deputetëve, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily. Ai tha se përgjegjësi duhet të ketë, por gjithashtu edhe respektim të prezumimit të pafajësisë.

“Policia, Prokuroria, sistemi gjyqësor duhet të veprojnë në mënyrë transparente, duke respektuar tërësisht standardet më të larta. Gjithsesi, ne (SHBA) dhe BE-ja kemi thënë se përgjegjësit për ngjarjet e 27 prillit duhet të bartin përgjegjësi, por procesi gjithashtu duhet ta respektojë prezumcionin e pafajësisë”, ka deklaruar ambasadori Baily.

Ngjashëm ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë duke theksuar se “ngjarjet në Kuvend më 27 prill ishin të dhunshme dhe për to nevojiten hetime të detajuara duke respektuar procedurat institucionale dhe juridike për transparencë maksimale”.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Pushtimi i Kuvendit nga protestuesit kishte ndodhur disa çaste pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Protestuesit e nxitur nga VMRO-ja dhe të ndihmuar nga disa prej tyre, por edhe nga Policia, e cila nuk kishte ndërhyrë për ndalimin e tyre ishin futur në institucionin ligjvënës ku kanë sulmuar deputetët e opozitës, ku Zoran Zaev dhe Zijadin Sela kishin pësuar lëndime më të rënda.

XS
SM
MD
LG