Ndërlidhjet

Vihet në pikëpyetje takimi i delegacionit të Kosovës dhe Serbisë


Flamuj të BE-së. Fotografi nga arkivi.

Në Bruksel ka përfunduar takimi i delegacionit të Kosovës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij. Por, takimi i paraparë për të mërkurën, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është vënë në pikëpyetje pasi Kosova po refuzon që të marrë pjesë në të.

Pala kosovare po e sheh si problematike takimin trepalësh të paraparë të mbahet më 8 shtator, pasi në delegacionin e Serbisë po merr pjesë edhe Velko Odalloviq, dhe përfaqësuesit e Ksoovës nuk duan të takohen me të.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se do të inciojë një procedurë për ta shpallur Odalloviqin "person non grata" (person i padëshiruar) dhe për t'ia ndaluar hyrjen në Kosovë.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Bislmi po ashtu ka treguar se gjatë takimit që ka pasur sot me Lajçakun dhe ekipin e tij, është biseduar për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, për atë të targave të veturave dhe për çështjen e të pagjeturve. Pikërisht çështja e të pagjeturve pritet të jetë tema e vetme e takimit të paraparë për nesër.

Ndërkaq, pas takimit të delegacionit të Kosovës, Lajçak po takohet me delegacionin serb.

Më herët gjatë ditës, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pret që të palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.

"Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara", tha Lajçak.

Ndërkaq, shefi i ekipit negociator të Serbisë dhe njëherësh drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se nga takimet e 7 dhe 8 shtatorit varet nëse do të ketë një raund të ri të dialogut në nivel politik.

Në prag të takimit dypalësh me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Ptekoviq potencoi se takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti mund të planifikohet vetëm në rast se Prishtina tregon gatishmëri për të lëvizur përpara.

Ai tha se në Bruksel çdo herë atmosfera është e pakëndshme, por pavarësisht kësaj "delegacioni serb qëndron atje për të luftuar për interesat serbe në Kosovë si dhe për të kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit që janë arritur më parë".

"Serbia gjithmonë këmbëngul për dialog dhe tregon një qasje konstruktive", u tha Petkoviq gazetarëve.

Sipas tij gjatë bisedimeve të hënën dhe të martën Beogradi do të këmbëngulë për pesë çështje: të pagjeturit, drejtësinë, lirinë e lëvizjes, energjinë dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.

“Palët janë pajtuar për modalitete të qarta për shqyrtimin dhe zbatimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohej. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen në atë mënyrë që ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut. U bëjmë ftesë palëve që të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë vizitat zyrtare, në kuadër të dialogut dhe të promovojnë atmosferë e cila është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve”, ka thënë Stano.

Serbia ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova ia ka ndaluar shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkoviqit vizitën në Kosovë.

Më 3 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se ia ndaloi hyrjen në Kosovë Petkoviqit, pasi në tri vizitat e fundit të tij, ai kishte bërë “deklarata provokuese” dhe “haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse”.

Megjithatë, nga kjo Ministri nuk kanë sqaruar se cilat deklarata të Petkoviqit cilësohen si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.

Për ndalimin e vizitës së Petkoviqit, që sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte planifikuar që të zhvillohej më 3 dhe 4 shtator, pritet të bisedohet edhe gjatë takimeve në Bruksel.

Burimet e BE-së kanë thënë se takimet e të martës dhe të mërkurës do të shfrytëzohen për të përgatitur një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që pritet të zhvillohet më vonë gjatë muajit shtator.

Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Kurti dhe Vuçiq përsëri nuk merren vesh për asgjë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:09 0:00

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG