Ndërlidhjet

Disa opsione për tejkalimin e krizës Kosovë-Serbi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në rundin e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 18 gusht, një prej opsioneve për tejkalimin e tensioneve midis dy vendeve ka qenë shtyrja e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targa dhe dokumente udhëtimi për një afat prej dy-tre muajsh.

Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë burimet diplomatike evropiane, sipas të cilave, një shtyrje e tillë do të ishte e nevojshme për t’u dhënë kohë edhe serbëve në Kosovë që të përgatiten, ndërsa ata që nuk kanë dokumente përkatëse të Kosovës, të pajisen me të tilla.

Qeveria e Kosovës, më 1 shtator, pritet të nisë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës - dhe për lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.

Ky vendim, i paraparë të niste së zbatuari më 1 gusht, është shtyrë për 30 ditë, për shkak të tensioneve që ka shkaktuar në veri të Kosovës, përfshirë ngritjen e barrikadave nga disa serbë lokalë.

Kërkesën që lëshimi i dokumenteve hyrëse nga ana e Kosovës të mos vlejë për serbët e Kosovës, e ka konfirmuar publikisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas burimeve të BE-së, pala kosovare në dialog ka thënë se asnjë shtetas i Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, nuk ka nevojë për dokument shtesë për hyrje/dalje.

Por, mospajtimet ekzistojnë rreth mënyrës se si të dëshmohet që dikush është qytetar i Kosovës, nëse nuk posedon dokument identifikues të lëshuar nga autoritetet në Kosovë. Serbët në veri janë të pajisur kryesisht me dokumente që u lëshon Serbia.

Në anën tjetër, Serbia, me vite, lëshon dokumente të posaçme për shtetasit e Kosovës kur hyjnë në territorin e saj.

Edhe pse pranojnë se opsioni që të dyja palët të heqin dorë nga lëshimi i letrave të posaçme për hyrje/dalje ka pak gjasa të ndodhë, burimet e BE-së e konsiderojnë atë si “të dëshirueshëm”.

Opsion tjetër është që Kosova, në mënyrë të njëanshme, të shtyjë zbatimin e vendimit edhe pas datës 1 shtator.

Burimet në BE thonë se puna në kërkim të zgjidhjes po vazhdon në mënyrë intensive.

Këtë e dëshmojnë edhe takimet që këto ditë po zhvillojnë në Kosovë dhe në Serbi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në rast se takimet e diplomatëve të lartë do të prodhojnë ndonjë rezultat, atëherë përmendet mundësia që javën e ardhshme në Bruksel të ketë një takim të ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, qoftë në nivel të lartë, apo edhe në nivel të kryenegociatorëve.

“Mirë është që të dy liderët, edhe Vuçiq edhe Kurti, kanë thënë se janë të gatshëm të vijnë në takim”, thotë një burim i BE-së.

Edhe pse thonë se ka shumë çështje që duhet të diskutohen dhe zgjidhen përmes dialogut, zyrtarët e BE-së konsiderojnë se “prioritet numër 1 në këtë moment është evitimi i eskalimit të situatës në veri të Kosovës”.

“Me kalimin e kohës po rritet përshtypja se do të evitohet eskalimi i situatës. Palët e kanë kuptuar seriozitetin e kësaj situate dhe NATO, po ashtu, ka thënë qartë se nuk do të tolerojë bllokimin e rrugëve, si dhe pengesa në lirinë e lëvizjes”, thotë një zyrtar perëndimor në Bruksel.

Sipas tij, kjo porosi u është përcjellë edhe palëve në dialog, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur u takuan javën e kaluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në Bruksel nuk e vënë në dyshim të drejtën e Kosovës që, sipas marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 me Serbinë, t’i zbatojë masat e reciprocitetit me këtë vend, por kërkojnë që të merret parasysh situata në terren dhe të jepet më shumë kohë për të shmangur keqkuptimet.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, zëvendësimi i targave do të nisë më 1 shtator dhe do të ketë një afat kalimtar prej dy muajsh, gjatë të cilit do të mund të ndërrohen targat.

Çfarë thuhet në Prishtinë?

Kryeministri Kurti përsëriti të mërkurën se do t'i përmbahet vendimit për targa dhe dokumente.

Sipas burimeve të REL-it në Prishtinë, Kurti është i vendosur që zbatimi i vendimit të mos shtyhet.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në takimin e përfaqësuesve të kësaj partie me Escobarin dhe Lajçakun, këta të fundit kërkuan që Kosova të jetë racionale në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Ajo që kam kuptuar unë, është se nga Kosova po kërkohet të jetë racionale në implementimin e vendimit... Të krijohet një proces kohor prej disa ditësh ose javësh, në mënyrë që të gjithë të pajisen me kartela identiteti e tabela - diçka që tingëllon si racionale”, thotë Haradinaj për REL-in.

“[Një shtyrje eventuale e zbatimit të vendimit] mund të hapë shumë dilema. Unë mendoj se dalja nga kjo gjendje është pikërisht ajo që po mendojnë edhe aleatët tanë... të gjendet një proces zbatimi... të fillojë si proces, të mos jetë një akt, një ditë e vetme, por të jetë proces. Nëse kjo gjendet, besoj se Kosova fiton, sepse sovraniteti e ligjshmëria jonë zbatohen [edhe] në veri”, shton Haradinaj.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që po ashtu takoi diplomatët perëndimorë, tha se përshkallëzimi i situatës në veri duhet të evitohet.

“Në procesin e dialogut [me Serbinë] ne ia kemi dhënë hapësirën e nevojshme kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i paalternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, shkroi Krasniqi në rrjetet sociale, pa dhënë më shumë detaje nga takimi me Escobarin dhe Lajçakun.

Në Beograd...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia po e trajton seriozisht gjetjen e një zgjidhjeje “për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

Këto komente ai i bëri pas një takimi me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, më 23 gusht.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca serbe, Vuçiq “i ka shpjeguar ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë që ai përfaqëson në dialogun me Prishtinën” dhe ka shtuar se ai është duke marrë pjesë në dialog me Prishtinën me “përgjegjësi dhe konstruktivitet”.

Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Burimet në Bruksel thonë se Departamenti Amerikan i Shtetit, nga niveli më i lartë, përfshirë edhe sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ka insistuar që deri në fund të kërkohet një zgjidhje për shmangien e tensioneve në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG