Ndërlidhjet

Në kërkim të kompromisit Kosovë - Serbi deri më 1 shtator


Takimi i fundit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 18 gusht.
Takimi i fundit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 18 gusht.

Është vështirë të vlerësohet se cili do të jetë rezultati i përpjekjeve që po bëjnë zyrtarët amerikanë dhe evropianë, për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave dhe të dokumenteve personale serbe në Kosovë, vlerëson Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

“Dialogu [midis Kosovës dhe Serbisë] është vërtet në rrugë pa krye”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri më 1 shtator, kur Kosova, sipas Qeverisë së saj, do të nisë zbatimin e vendimeve për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës - dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.

Por, është ende e paqartë nëse Kosova dhe Serbia do të mund të merren vesh për këto çështje, të cilat i kanë rritur tensionet në fillim të këtij muaji.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje t’i zbatojnë këto vendime nga 1 gushti, por disa serbë në pjesën veriore kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie.

Me sugjerimin e partnerëve ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve të saj për 30 ditë.

Për shkak të situatës së krijuar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të jetë në Kosovë dhe Serbi më 23 dhe 24 gusht, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë - Beograd, Mirosllav Lajçak.

Qëllim i tyre është që të bisedojnë me palët për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme, përpara 1 shtatorit.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në selinë e Bashkimit Evropian, por nuk kanë arritur marrëveshje.

Pala serbe ka këmbëngulur që qytetarët nga veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për dokumentet e reja dhe që automjetet e tyre t’i riregjistrojnë me shkronja neutrale ndaj statusit të Kosovës - KS, e jo RKS.

Kosova e ka hedhur poshtë ofertën e Beogradit, duke thënë se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje kompromisi.

Bodo Weber thotë se dialogu dhe protagonistët e tij “janë dëmtuar rëndë nga episodi i negociatave për shkëmbim të territoreve, gjatë viteve 2017-2020”.

Qe atëherë, sipas tij, nuk ka pasur negociata serioze, të cilat duhet të iniciohen nga nivelet më të larta të qeverive në Evropë dhe SHBA.

Weber thotë se është vështirë të parashikohet nëse do të ketë presion nga SHBA-ja dhe BE-ja, që palët të arrijnë ndonjë marrëveshje para 1 shtatorit.

“Është e vështirë të thuhet - ajo që ka bërë Qeveria e Kurtit, ka qenë një veprim i njëanshëm, i cili politikisht është kundër frymës së dialogut... por masat e miratuara - zbatimi i të cilave është shtyrë aktualisht - nuk janë në vetvete kundër marrëveshjes që ka dalë nga dialogu”, thotë Weber, për të shtuar se “pozita superiore” e Beogradit “është tronditur seriozisht nga lufta në Ukrainë”.

Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë.

Shtyrja e vendimit për targat dhe dokumentet personale si kompromis?

Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për përfaqësimin e kulturës demokratike nga Mitrovica e Veriut, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është i gatshëm të pranojë zgjidhje kompromisi sa u përket targave dhe dokumenteve personale.

*Video: Dokumenti për hyrje/dalje

Çfarë është dokumenti për hyrje/dalje?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Në këtë kontekst, ai nuk pret shumë nga vizita e Escobarit dhe Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd.

Megjithatë, siç thotë, ekziston mundësia që çështja e riregjistrimit të veturave “të lihet në pritje”, gjegjësisht, diskutimet për të të shtyhen.

“Shpresoj se diplomacia do të bëjë diçka”, thotë Radakoviq dhe shton se Beogradi zyrtar, për herë të parë, “është nën presion më të vogël se Prishtina nga ana e komunitetit ndërkombëtar”.

Weber vlerëson se një zgjidhje kompromisi do të ishte shtegdalje nga situata e krijuar. “Në zgjidhje kalimtare është e vetmja rrugëdalje e mundshme në këtë moment”, thotë ai.

“...sepse, çështjet e regjimit kufitar ndikojnë drejtpërdrejt në çështjen e statusit, kështu që një zgjidhje e përhershme e kësaj çështjeje dypalëshe do të kërkonte negociata serioze për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe, aktualisht, jemi shumë larg nga negociatat e tilla”, thotë Weber.

Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të territorit të saj, edhe pse Kosova është shtet i pavarur qysh në vitin 2008.

*Video: Serbët në jug të Ibrit flasin për vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Serbët në jug të Ibrit presin që edhe ata të pyeten për diçka
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:53 0:00

Qytetarët optimistë

Në anën tjetër, disa qytetarë të anketuar në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut shprehen optimistë se diplomacia e SHBA-së dhe BE-së po e kryen punën e saj në prapavijë.

Gani Mulliqi thotë se për zbatimin e këtyre vendimeve, Qeveria e Kosovës do ta ketë mbështetjen e vendeve të QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia), të cilat tashmë kanë deklaruar se ato vendime janë në përputhje me një marrëveshje që kanë arritur palët vite më parë në Bruksel.

Ai thotë se Beogradi do të jetë i detyruar t’i pranojë vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe shton se nuk pret trazira më 1 shtator.

“Nuk e besoj... me vetë faktin se Beogradi, të dielën e kaluar, i ka ftuar në një takim të gjithë liderët serbë, ata partiakë, por edhe deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës dhe kryetarët e komunave, për t’iu dhënë sinjal se Serbia do të jetë e detyruar të pranojë kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të Kosovës, që të vendoset ligjshmëria në kufijtë e saj”, thotë Mulliqi.

*Video: Riregjistrimi i makinave në RKS

Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Radovani nga Mitrovica e Veriut shpreson që të gjendet një zgjidhje kompromisi, e cila do t’u mundësonte qytetarëve të zakonshëm “një jetë normale”.

“Të kemi kushte, të kemi energji elektrike, të kemi liri të lëvizjes, të mund të fitojmë të qetë, të bëjmë afarizëm... Mendoj se është koha e fundit për këtë”, thotë ai.

A ka gatishmëri për kompromis?

Pala serbe pretendon se ka ofruar zgjidhje kompromisi gjatë bisedimeve të javës së kaluar në Bruksel, por se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka refuzuar.

Askush nga Qeveria e Kosovës nuk i ka konfirmuar apo mohuar këto pretendime, të cilat fillimisht i ka përmendur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a do t’i shqyrtojë zgjidhjet e kompromisit për të cilat ka folur Beogradi dhe a është e gatshme për ndonjë kompromis, por zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se lidhur me këto çështje, është paraparë që Kurti t’i drejtohet publikut më 24 gusht.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia po e trajton seriozisht gjetjen e një zgjidhjeje “për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

Këto komente, ai i ka bërë pas një takimi me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, më 23 gusht.

Weber thotë se asnjëra palë nuk është e interesuar për përshkallëzim të tensioneve në veri të Kosovës. “Beogradi më së paku e do këtë”.

XS
SM
MD
LG