Ndërlidhjet

Vuçiq thotë se Serbia po i "qaset seriozisht zgjidhjes së krizës" me Kosovën


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill. Beograd, 23 maj 2022.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill. Beograd, 23 maj 2022.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia po e trajton seriozisht gjetjen e një zgjidhjeje “për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

Këto komente ai i bëri pas një takimi me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, më 23 gusht në Beograd.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca serbe, dy zyrtarët kanë biseduar për situatën në rajon, me theks atë pas rundit të dialogut të javës së kaluar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe bashkëpunimin dypalësh.

Presidenti serb, siç thuhet, “i ka shpjeguar ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë që ai përfaqëson në dialogun me Prishtinën” dhe ka shtuar se ai është duke marrë pjesë në dialog me “përgjegjësi dhe konstruktivitet”.

Ai shtoi se serbët që jetojnë në Kosovë “kërkojnë pa kushte” formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq, siç thuhet në njoftim, ka thënë se është e rëndësishme që Kosova t'i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të Kosovës të mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave, të banuara me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një letër të shkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi më 19 prill 2013.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një letër të shkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi më 19 prill 2013.

Megjithatë, marrëveshja me NATO-n parasheh që Kosova duhet të kërkojë pëlqimin e aleancës veri-atlantike për hyrjen në veri vetëm për Forcat e Armatosura të Kosovës (FSK).

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak të martën dhe të mërkurën vizitojnë Prishtinën, dhe më pas Beogradin.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ata do të bëjnë përpjekje për t'i bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës, si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është dashur të zbatohet nga 1 gushti, por Prishtina zyrtare ka vendosur ta shtyjë fillimin e zbatimit për një muaj, pas kërkesës së BE-së dhe SHBA-së.

XS
SM
MD
LG