Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Bisedimet teknike do të pasohen me takimin Thaçi – Vuçiq 


Fotografi nga arkivi

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, përfunduan sot raundin e bisedimeve në kuadër të dialogut teknik në Bruksel, i cili ka nisur të hënën, ka njoftuar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Kocijançiq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të dy delegacionet kanë biseduar lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të ndryshme të cilat janë arritur në kontekstin e dialogut, siç janë : liria e lëvizjes, Menaxhimi i Integruar i Kufirit (IBM), drejtësia, Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, ura në Mitrovicë dhe energjetika.

“Mund t’ju them se diskutimet kanë qenë konstruktive dhe delegacionet kanë biseduar për shumë çështje dhe hapa, për të cilat tash do të punojnë, në kuptimin që të arrihet deri te zbatimi i tyre dhe për normalizimin e ardhshëm të marrëdhënieve. Në këtë kontekst, ata do t’i vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm dhe do të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes, IBM-së, Asociacionit apo Bashkësisë, për urën në Mitrovicë dhe për energjetikën”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo gjithashtu ka theksuar gjatë muajit mars në kuadër të dialogut në Bruksel, pritet të mbahet edhe takimi i nivelit politik, ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

“Kjo duhet të ndodhë muajin e ardhshëm. Ende nuk i kemi detajet”, tha Kocijançiq.

Dialogu, në nivelin teknik, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë më 16 janar, nga delegacioni i Serbisë, pas vrasjes, në rrethana ende të pasqaruara, të njërit prej përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Me herët, Bashkimi Evropian ka mirëpritur gatishmërinë e presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë janë arritur një numër i konsiderueshme i marrëveshjeve, por disa nga to ende nuk janë zbatuar. Dialogu më pas është zhvilluar edhe në nivelin politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të dy vendeve.

Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG