Mbrojtja: Krasniqi nuk ishte epror i Zyrapit
Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se klienti i tij ishte epror i Bislim Zyrapit.
Ai tha se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashton dhe Rrustem Mustafën.
Sipas tij, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është “i pabazuar”.
Mbrojtja: Nuk ka asnjë provë për fajësinë e Selimit
Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë “për të siguruar fajësinë e Selimit.
“ZPS nuk ka argumente kundër Selimit”, tha ai, duke shtuar se nuk mund të vërtetohet se ai ka kontribuar për krimet e paraqitura në aktakuzë.
“Zoti Selimi duhet të shfajësohet për të gjitha akuzat. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet mbi bazën e provave të paraqitura në këtë proces gjyqësor”, tha ai.
Tani fjalën e ka mbrojtja e Krasniqit.
Mbrojtja: ZPS nuk dha prova për NPK
Mbrojtja e Selimit tha se ZPS nuk ka foruar prova për të vërtetuar çdo aspekt të NPK-së, për anëtarësinë e saj, objektivat dhe mjetet që pretendonte se u përdorën për të arritur objektivin.
“E vetmja që tha ZPS është se provat që gjenden në komunikata gjenden në një poshtëshënim të saj. Por, ky poshtëshëmim vetëm evideton komunikatat, por nuk ka prova që mbështesin krimet e pretenduara. Por, vetëm përsëritje e pretendimeve të komunikatave”, tha ai.
Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha po ashtu se ZPS nuk ka provuar autorësinë e shënimeve të dorës që ia atribuon Selimit, por këtë ia ka lënë në dorë trupit gjykues që të vlerësojë nëse ato ishin shkruar nga Selimi.
Mbrojtja e Selimit: ZPS-së i vjen turp për argumentet për Selimin
Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se Prokurorisë së Specializuar i “vjen turp” për argumentet që ka ndaj klientit të tij.
“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha ai në nisje të fjalës së tij.