Përshëndetje të nderuar lexues,
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Në gjashtë seancat paraprake fjalët përmbyllëse i kanë shpalosur prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave dhe më pas trupi gjykues ka parashtruar pyetje ndaj palëve.
Siç u bë e ditur në seancën paraprake të mbajtur të hënën, sot mbrojtësi i viktimave Simon Laws do të ketë radhën.
Edhe katër të akuzuarit kanë të drejtën që të deklarohen sot para trupit gjykues.
Të pranishëm në Hagë në seancën e fundit janë edhe familjarët e të akuzuarve si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, që përfaqëson Qeverinë e Kosovës.
Para seancës, Konjufca tha se gjykata ka shkelur të drejtën e të akuzuarve për gjykim në kohë të arsyeshme, pasi ata për më shumë se pesë vjet mbahen në Hagë.
Ai e cilësoi gjykatën si “njëentike që fokusin e kishte padrejtësisht në UÇK”.
“Unë jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë luftë kandër asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe”, tha ai.
Konjufca shtoi se shpreson që “verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”.
Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Seanca e sotme mbahet një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin, kërkesë që nga ekipet mbrojtëse është cilësuar si burgim i përjetshëm.
Na ndiqni përmes këtij blogu për t’u informuar për zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Faleminderit që jeni me ne!
Nis seanca në Hagë
Në Hagë ka nisur seanca e fundit e deklarimeve përmbyllëse për rastin ndaj katërshes së UÇK-së.
Të katër të akuzuarit janë në sallë.
Deklaratat e të akuzuarve më vonë gjatë ditës
Në nisje të seancës, trupi gjykues tha se pas pushimit të drekës beson se të deklarohen të katër të akuzuarit dhe e gjithë seanca të mbyllet pasdite.
Mbrojtësi i viktimave: Nuk e kemi obligim të vërtetojmë akuzat ndaj të akuzuarve
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur të përgjigjet për pretendimet e ngritura nga palët. Fillimisht ai u mor me pretendimin e mbrojtjes së Rexhep Selimit se mbrojtësi i viktimave nuk ka treguar lidhjen mes krimeve të pretenduara dhe Selimit.
“Nuk ka kusht ligjor që të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve, në asnjë fazë të procesit. Ne sigurisht nuk jemi përpjekur të bëjmë lidhjen e krimeve dhe Selimit. Ne kemi paraqitur informacione dhe prova që kanë pësuar viktimat. Kjo kërkohet nga ne. Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit, kjo është puna e Prokurorisë”, tha Laws.