Selimi: Akuzat ndaj ndesh janë të pabazuara e të padrejta
Selimi vazhdoi me kundërshtime ndaj akuzave të Prokurorisë, duke thënë se rrjedha e procesit “më ka dhënë të drejtë, akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta”.
“Edhe pse kanë kaluar tri vjet nga fillimi i këtij procesi, Prokuroria ka vazhduar në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare”.
Selimi e kritikoi Prokurorinë se vuri në shënjestër “madje edhe pavarësinë e Kosovës”.
“Megjithëse Prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës përfundimtare tha se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës shënjestër e saj ishin Shtabi, UÇK dhe në veçanti qëllimi i saj, që ishte pavarësia e Kosovës”, shtoi ai.
“Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal. Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm, Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si ‘Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësi, apo me tutje Shtabi i Përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë’”.
“Është e vështirë të kuptohet se kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë, kundër nesh pretendime për me veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës. Këtë duhet ta vlerësoni ju trup gjykues”.
Tani fjalën e ka Rexhep Selimi
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, është tani në radhë për t’u deklaruar.
Ai tha para trupit gjykues se shpreson se gjykimi ndaj tij mund të shërbejë si një mundësi “për drejtësi”.
“Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv, shpresoj se trupi gjykues e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë”, tha Selimi.
Veseli: Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore
Veseli tha para trupit gjykues në fund se “ndërgjegjja ime është e pastër” dhe se veprimet e tij kanë qenë “njerëzore dhe ligjore.
“U ktheva në Kosovë jo si një ushtar i trajnuar, por si një student. Jo me urrejtje po me bindje, u ktheva sepse ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim, u ktheva se nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim”, tha Veseli.
“Synimi im ishte i qartë, të kontribuoja për lirinë dhe drejtësinë e popullit tim, por duke mos i bërë askujt padrejtësi”, përfundoi ai.
Veseli: Nuk ka asnjë provë se unë kam kryer ndonjë krim
Veseli ka ngulur këmbë se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se ai ka kryer ndonjë krim sic pretendohet në aktakuzën kundër tij.
“Pas dekadash hetimesh dhe dëshmisë të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi por çështje fakti”, tha ai.
Veseli thotë se nuk mori pjesë në luftë nga “dëshira për konflikt”.
“Si i ri, edhe unë kam dëshiruar një jetë të qetë, të jetoja në paqe dhe dinjitet me familjen time. Kam qenë student kur u shfuqizua autonomia e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës u sulmua nga forcat serbe. Kam marrë pjesë në aktivitetet paqësore për t’i mbrojtur të drejtat tone themelore”, shtoi ai.