Ndërlidhjet

Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.
Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi këmbëngulin në pafajësi në deklaratat përmbyllëse

• Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë më 18 shkurt.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

• Çështja gjyqësore u përmbyll këtu dhe tani gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

11:48 18.2.2026

Tani radha e mbrojtjes së Selimit

Pas një pushimi të shkurtër, seanca ka nisur punimet dhe radha është e mbrojtjes së Selimit.

11:50 18.2.2026

Mbrojtja e Selimit: ZPS-së i vjen turp për argumentet për Selimin

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se Prokurorisë së Specializuar i “vjen turp” për argumentet që ka ndaj klientit të tij.

“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha ai në nisje të fjalës së tij.

12:00 18.2.2026

Mbrojtja: ZPS nuk dha prova për NPK

Mbrojtja e Selimit tha se ZPS nuk ka foruar prova për të vërtetuar çdo aspekt të NPK-së, për anëtarësinë e saj, objektivat dhe mjetet që pretendonte se u përdorën për të arritur objektivin.

“E vetmja që tha ZPS është se provat që gjenden në komunikata gjenden në një poshtëshënim të saj. Por, ky poshtëshëmim vetëm evideton komunikatat, por nuk ka prova që mbështesin krimet e pretenduara. Por, vetëm përsëritje e pretendimeve të komunikatave”, tha ai.

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha po ashtu se ZPS nuk ka provuar autorësinë e shënimeve të dorës që ia atribuon Selimit, por këtë ia ka lënë në dorë trupit gjykues që të vlerësojë nëse ato ishin shkruar nga Selimi.

12:07 18.2.2026

Mbrojtja: Nuk ka asnjë provë për fajësinë e Selimit

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë “për të siguruar fajësinë e Selimit.

“ZPS nuk ka argumente kundër Selimit”, tha ai, duke shtuar se nuk mund të vërtetohet se ai ka kontribuar për krimet e paraqitura në aktakuzë.

“Zoti Selimi duhet të shfajësohet për të gjitha akuzat. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet mbi bazën e provave të paraqitura në këtë proces gjyqësor”, tha ai.

Tani fjalën e ka mbrojtja e Krasniqit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG