Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt, pas gati tri vjetëve.
Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.
Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.
Më pas, mbrojtja e viktimave tha para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.
Në fund të ditës, ishte radha e të të akuzuarve për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, ngulën këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe mbrojtën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore.
Ata thanë se nuk kanë kryer krime dhe se Prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç thanë, të pabazuara, kundër tyre.
Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore.
Seanca e fundit u mbajt vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin.
Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Të nderuar lexues, me kaq po e mbyllim edhe raportimin tonë të drejtpërdrejtë.
Faleminderit që na ndoqët!