22:56
3.3.2026
Të dashur lexues, këtu po e mbyllim për sonte mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve më 3 mars:
- Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme të reja në disa qytete të Iranit - përfshirë kryeqytetin Teheran - në ditën e katërt të Operacionit “Tërbimi Epik”.
- Irani u kundërpërgjigj me disa sulme kundër caqeve amerikane në rajon. Ambasada e SHBA-së në Riad konfirmoi se ishte cak i një sulmi me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht, për shkaqe sigurie.
- Organizata iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, ka arritur në 787.
- Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dabi lëshoi një njoftim për qytetarët e Kosovës për evakuim të mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme.
- Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani dëshiron bisedime, por shtoi se “tani është tepër vonë për të folur”.
- Trump theksoi gjithashtu se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.
- Ai thekson se Irani tani nuk ka më marinë, as forcë ajrore apo kapacitete për të zbuluar sulmet ajrore.
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca nuk është e përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, por se do të mbrojë çdo centimetër të territoreve të vendeve anëtare.