Hamza: Beteja nuk ka përfunduar, PDK do të ndërmarrë të gjitha veprime demokratike dhe ligjore
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se aktgjykimi i sotëm ndaj katërshes së UÇK-së ishte i rëndë dhe me të “jemi dënuar si popull dhe si shtet”, por shtoi se me këtë nuk përfundon beteja ligjore.
“Presim që në Apel të shqyrtohen me saktësi konkluzionet mbi qëllimet e përbashkëta kriminale, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në aktgjykim”, tha ai në një konferencë për media.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.
Sipas Hamzës, aktgjykimi i shqiptuar sot ishte “një padrejtësi e madhe”, duke shtuar se katërshja e UÇK-së u dënua për “gjithçka është propaganduar kundër UÇK-së”.
“PDK do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore për këtë proces”, tha Hamza.
I pyetur për deklaratën e bërë nga avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, që po të ishte deputet do të vepronte në zhbërjen e gjykatës, Hamza u shpreh:
“Ai është avokat. Nuk është deputet, deputetët i kryejnë punët e tyre”.
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është “padrejtësi e papranueshme”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “padrejtësi të papranueshme” shpalljen fajtorë dhe dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, tha Kurti në reagimin e tij.
Ai kundërshtoi edhe formulimin se aktgjykimi është shqiptuar “në emër të popullit të Kosovës”, duke thënë se kjo “formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”.
Kurti kërkoi që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet në apel.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, tha ai.
Kurti shprehu gjithashtu mbështetje për familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Dhjetëra qytetarë mblidhen pranë EULEX-it pas aktgjykimit në Hagë
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pranë ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Disa prej tyre kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës.
Tubimi vjen pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Nuk është bërë menjëherë e qartë pse protestuesit kanë zgjedhur ndërtesën e EULEX-it si vend të tubimit.
Megjithatë, ky mision ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale, ndërsa BE-ja është financuesja kryesore e tyre.
Udhëheqësit politikë në Kosovë kanë bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.
Dhjetëra qytetarë mblidhen pranë EULEX-it pas aktgjykimit në Hagë
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pranë ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Tubimi vjen pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Nuk është bërë menjëherë e qartë pse protestuesit kanë zgjedhur ndërtesën e EULEX-it si vend të tubimit.
Megjithatë, ky mision ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale.
Udhëheqësit politikë në Kosovë kanë bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.