Lexues të nderuar,
Po ju sjellim të përmbledhur atë që ndodhi gjatë ditës së sotme në Hagë dhe në Kosovë:
Trupi gjykues shpalli fajtorë ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime lufte.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim secilin, Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13. Të katërtit u gjetën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Trupi gjykues rrëzoi akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime kundër njerëzimit.
Vendimi u cilësua si i padrejtë nga krerët shtetërorë të Kosovës, teksa ekipet mbrojtëse paralajmëruan se do ta apelojnë atë.
Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar e mirëpriti vendimin dhe tha se sjellë drejtësi për viktimat, teksa paralajmëroi se do të shqyrtojë aktgjykimin edhe për pjesën e akuzave që i rrëzoi trupi gjykues.
Vendimi u prit me zemërim dhe zhgënjim në Kosovë. Në Prishtinë, para zyrave të Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit dhjetëra qytetarë protestuan, ku pati edhe tensione.
Më pas, protesta u zhvendos para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe disa protestues gjuajtën edhe gurë drejt ndërtesës së ekzekutivit.
Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje palëve që ta respektojnë vendimin dhe “të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”.
Thirrje për respektim të vendimit bënë edhe nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thanë se ky vendim dëshmon se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin.
Djali i Hashim Thaçit: Beteja nuk ka mbaruar
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar gjithë procesin gjyqësor ndaj të atit dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së si të padrejtë, teksa ka shtuar se beteja nuk ka mbaruar.
“Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitëm edhe unë zërit tuaj sekse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet e maturi. Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë gdhendur në lëkurë ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Endrit Thaçi ishte i pranishëm sot në gjykatoren në Hagë nga ku përcolli shpalljen e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së, që u dënuan për krime lufte, kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.
Detajet e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: Çka konstatoi trupi gjykues?
Mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve, dhe vlerësimit të gati 5.500 provave materiale, ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Artikulli i plotë:
HRW për vendimin e Speciales: Moment i rëndësishëm për viktimat që pritën për drejtësi
Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e vlerësoi dënimin e katërshes së UÇK-së, si “moment të rëndësishëm për viktimat që kanë pritur me dekada për drejtësi”.
“Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së për krime lufte, tregon se pozitat e larta apo pozitat gjatë luftës nuk duhet të mbrojnë askënd nga përgjegjësia për krime të rënda”, tha Hugh Williamnson, drejtori për Evropë dhe Azi Qendrore në HRW në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.