Bajraktari: Vendimi i Speciales skandaloz, skena politike në Kosovë të bëhet bashkë
Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, e cilësoi si “skandaloz” vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së, duke vlerësuar se sot është ditë “e trishtueshme për Kosovën, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare”.
“Ata u dënuan sepse qëndruan me popullin e tyre kundër shtypjes, brutalitetit, pastrimit etnik dhe mizorive të regjimit serb. Në anën tjetër, bota po e lejon Serbinë që të ikë nga përgjegjësia për vrasjen e mbi 10.000 personave dhe masakrimin e tyre dhe për përdhunimin e mbi 20.000 grave. Kjo është një nga padrejtësitë më të mëdha në histori. Është absurde”, shkroi ai në X.
Bajraktari tha se tani udhëheqësit politikë duhet të reflektojnë dhe Kosova duhet të përgatitet që të përballet “me këtë padrejtësi”.
“Për ta fituar këtë betejë, të gjitha ndasitë mes udhëheqësve politikë duhet të ndalen sot”, tha ai.
Bajraktari ftoi Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në, LDK-në dhe Aleancën që të bashkohen për të “mbrojtur popullin e Kosovës”, duke argumentuar se askush nuk përfiton nga urrejtja, ndasitë, fajësimi apo “lojërat politike”.
“Tani, më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për institucione stabile, unitet, pjekuri politike, zhvillim ekonomik, një ushtri të fortë dhe angazhim të fuqishëm me Uashingtonin, Brukselin, Londrën, Parisin, Berlinin dhe kudo që diskutohet e ardhmja e Kosovës”, tha ai.
Protesta para Qeverisë përmes fotove
Dhjetëra qytetarë protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pas aktgjykimit fajësues ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së.
Protesta u përshkrua me tensione, teksa disa të pranishëm hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, duke thyer disa xhama.
Në qendër të Prishtinës ende ka grupe qytetarësh që po protestojnë. Aty ka të pranishëm edhe anëtarë të OVL-UÇK-së dhe deputetë të PDK-së që po bisedojnë me qytetarët e mbledhur.
Procedura për apelimin e vendimeve të Speciales
Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë paralajmëruar se do të apelojnë aktgjykimin dënues.
Në tekstin e mëposhtëm mësoni se cilat hapat ndërmerren në një proces të tillë:
Serwer: Vendimi ndaj katërshes së UÇK-së është i padrejtë
Profesori amerikan, Daniel Serwer, vlerësoi se nuk është vetëm “vendimi i padrejtë, por edhe Gjykata” Speciale.
Në një shkrim të publikuar pas aktgjykimit ndaj katërshes së UÇK-së, Serwer tha se nuk ka dyshim që “disa pretendime ndaj luftëtarëve të UÇK-së janë të vërteta”.
Por, ai tha se nuk beson që Thaçi kishte autoritetet komandues “ndaj forcave që kryen krime”.
“E di këtë sepse jo vetëm që amerikanët që e dinin këtë dëshmuan në gjykimin ndaj tij, por edhe pse në bisedat me të pas luftës, para luftëtarëve të UÇK-së, ai më tha se roli i tij ishte i kufizuar në zëdhënës politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandat”, shkroi Serwer.