Ellis: Aktgjykimi mund të ketë peshë përtej Kosovës
Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit mund të ketë rëndësi edhe për zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.
Sipas tij, një nga çështjet kryesore është nëse Prokuroria ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe pjesëmarrjen e secilit të akuzuar në të.
Gjykatësit duhet të vlerësojnë gjithashtu nëse të akuzuarit kishin kontroll efektiv mbi vartësit dhe nëse dinin, ose kishin arsye të dinin, për krimet e pretenduara.
Ellis thotë se, pavarësisht rezultatit, aktgjykimi mund t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese dhe të ndikojë në mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare trajtojnë këto forma të përgjegjësisë penale.
Rutte: KFOR-i i gatshëm të reagojë ndaj zhvillimeve në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se përkushtimi i Aleancës për paqen dhe sigurinë në Kosovë mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
I pyetur për mundësinë e trazirave pas vendimit, Rutte ka thënë se KFOR-i është në Kosovë për të kontribuar në stabilitet dhe paqe.
Ai ka thënë se NATO-ja do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe dislokimin e trupave të KFOR-it, në mënyrë që misioni t’i përshtatet situatës së sigurisë në terren.
Thirrje për vigjilencë
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Ambasada amerikane u ka rekomanduar shtetasve të saj të shmangin zonat ku mund të ketë demonstrata, ndërsa personelit të saj i është kërkuar që këtë ditë të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.
Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë larg tubimeve dhe të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Britania e Madhe, ndërkaq, ka paralajmëruar për tubime të mëdha dhe pengesa të mundshme në qarkullim.
Qindra shqiptarë mblidhen në Hagë dhe Kosovë në prag të verdiktit
Në prag të shpalljes së aktgjykimit, qindra shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e së martës pranë selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Tubime janë mbajtur edhe në Kosovë, përfshirë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Skenderaj.
Pjesëmarrësit kanë valëvitur flamuj të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe kanë mbajtur pankarta e fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.