Çfarë presin qytetarët nga verdikti?
Pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Radio Evropa e Lirë ka pyetur qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës se çfarë presin nga vendimi i 16 shtatorit.
Nga Buroja në Podujevë, ata kanë ndarë pritjet dhe pikëpamjet e tyre për një prej vendimeve më të pritura të Dhomave të Specializuara.
Ellis: Aktgjykimi mund të ketë peshë përtej Kosovës
Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit mund të ketë rëndësi edhe për zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.
Sipas tij, një nga çështjet kryesore është nëse Prokuroria ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe pjesëmarrjen e secilit të akuzuar në të.
Gjykatësit duhet të vlerësojnë gjithashtu nëse të akuzuarit kishin kontroll efektiv mbi vartësit dhe nëse dinin, ose kishin arsye të dinin, për krimet e pretenduara.
Ellis thotë se, pavarësisht rezultatit, aktgjykimi mund t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese dhe të ndikojë në mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare trajtojnë këto forma të përgjegjësisë penale.
Rutte: KFOR-i i gatshëm të reagojë ndaj zhvillimeve në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se përkushtimi i Aleancës për paqen dhe sigurinë në Kosovë mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
I pyetur për mundësinë e trazirave pas vendimit, Rutte ka thënë se KFOR-i është në Kosovë për të kontribuar në stabilitet dhe paqe.
Ai ka thënë se NATO-ja do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe dislokimin e trupave të KFOR-it, në mënyrë që misioni t’i përshtatet situatës së sigurisë në terren.
Thirrje për vigjilencë
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Ambasada amerikane u ka rekomanduar shtetasve të saj të shmangin zonat ku mund të ketë demonstrata, ndërsa personelit të saj i është kërkuar që këtë ditë të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.
Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë larg tubimeve dhe të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Britania e Madhe, ndërkaq, ka paralajmëruar për tubime të mëdha dhe pengesa të mundshme në qarkullim.