Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

  • Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
  • Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
  • Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
  • SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.
10:59 16.9.2026

Trupi gjykues: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së

Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.

10:56 16.9.2026

Trupi gjykues: U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura

Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.

10:51 16.9.2026

Trupi gjykues përshkruan keqtrajtimin dhe pasojat afatgjata

Trupi gjykues konstatoi se disa të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët gjatë keqtrajtimit.

Sipas gjykatësit Smith, disa prej tyre vazhdojnë të kenë dhimbje ose nuk janë në gjendje të ecin edhe sot.

Shumë dëshmitarë, tha Smith, kanë treguar për pasoja afatgjata të keqtrajtimit, përfshirë depresionin dhe problemet me gjumin.

10:49 16.9.2026

Trupi gjykues: Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

Trupi gjykues konstatoi se shumë të ndaluar ishin rrahur deri në atë masë sa nuk ishin në gjendje të qëndronin në këmbë, ndërsa disa kishin humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.

Sipas gjykatësit Smith, të ndaluarve u ishin shkaktuar gjithashtu vuajtje psikologjike.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG