Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Drejtpërdrejt Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

E përditësuar

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.

11:08

Trupi gjykues: Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.

Ai dhe të akuzuarit e tjerë emëruan persona besnikë në pozita të ndryshme për të ruajtur kontrollin brenda UÇK-së gjatë gjithë periudhës përkatëse, shtoi Smith.

Sipas tij, shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.

Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi.
11:05

Trupi gjykues: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Trupi gjykues tha se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.

Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për kryesit e krimeve.

Trupi gjykues.
Trupi gjykues.
11:01

Kush ishin personat e shënjestruar?

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.

Në këtë grup përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë serbë dhe romë.

10:59

Trupi gjykues: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së

Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG