Rama reagon pas aktgjykimit të Speciales: “Marre”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi me vetëm një fjalë: “Marre”, duke shprehur, siç duket, kundërshtimin e tij ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.
Reagimi i tij erdhi pak pasi trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së penalisht përgjegjës për krime lufte dhe u shqiptoi dënime me burgim.
Konjufca: Vendim i padrejtë dhe i pamerituar
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së si “të trishtueshëm”.
“Është një vendim vërtet i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të UÇK-së”, tha Konjufca pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Mbyllet seanca në Hagë
Pas shpalljes së aktgjykimit dhe dënimeve ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur.
Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë atë.