Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Drejtpërdrejt Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

E përditësuar

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.

12:13

Gucati: Nuk duhet t’i humbim shpresat, mbetet apeli

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka dënuar ashpër aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë të tmerrshme dhe kriminale”.

“Sot gjykata arriti të kënaqë Serbinë dhe Rusinë me këto dënime”, tha Gucati.

Ai tha se shpresat tani mbeten te procesi i apelit.


12:08

Haradinaj bën thirrje për qetësi: Beteja për drejtësi të vazhdojë në shkallën e dytë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tani deputet i Aleancës, e ka cilësuar si “të papranueshëm” dhe “të padrejtë” aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e betejës ligjore në shkallën e dytë.

“Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë”, tha Haradinaj përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet social.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë pronën dhe të mos rrezikojnë jetën e njerëzve si reagim ndaj aktgjykimit.

“Nëse e shkatërrojmë Kosovën, u ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha Haradinaj.

11:59

Rama reagon pas aktgjykimit të Speciales: “Marre”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi me vetëm një fjalë: “Marre”, duke shprehur, siç duket, kundërshtimin e tij ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.

Reagimi i tij erdhi pak pasi trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së penalisht përgjegjës për krime lufte dhe u shqiptoi dënime me burgim.

11:51

Konjufca: Vendim i padrejtë dhe i pamerituar

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së si “të trishtueshëm”.

“Është një vendim vërtet i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të UÇK-së”, tha Konjufca pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG