Reagimet në Prishtinë pas vendimit të Dhomave të Specializuara
PDK: Aktgjykimi është i padrejtë dhe i papranueshëm
Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si “të padrejtë dhe të papranueshëm” aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se do ta kundërshtojë atë “me të gjitha mjetet demokratike”.
Në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, PDK-ja tha se vendimi përbën “goditje të rëndë” dhe pretendoi se ai mbështetet në materiale që partia i konsideron të fabrikuara dhe të nxitura nga Serbia me synim kriminalizimin e luftës së UÇK-së.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por, historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot”, thuhet në reagim.
PDK-ja tha se aktgjykimi nuk është “fjala e fundit”, duke iu referuar vazhdimit të procesit gjyqësor.
“Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, tha PDK-ja, duke shtuar se synimi i saj mbetet lirimi i katër ish-krerëve të UÇK-së.
Tensione pranë Gjykatës Speciale në Hagë
Disa media raportojnë për tensione pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa persona u ngjitën mbi automjetet e policisë dhe i goditën ato, ndërsa policia përdori ujë për shpërndarjen e turmës.
Situata raportohet se më pas është qetësuar.
Haxhiu: Dënimet janë goditje e rëndë, fjala e fundit juridike nuk është thënë
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka cilësuar dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe “lajm thellësisht tronditës” për Kosovën.
Në reagimin pas shpalljes së aktgjykimit, Haxhiu tha se procesi juridik nuk ka përfunduar dhe përmendi mundësinë e ankimit.
“Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, shkroi ajo në Facebook.
Haxhiu tha se lufta e UÇK-së “ishte çlirimtare” dhe se, sipas saj, aktgjykimi nuk duhet të përdoret për të relativizuar krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Ajo bëri thirrje për qetësi dhe unitet pas shpalljes së dënimeve.
“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, tha Haxhiu.