Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Drejtpërdrejt Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

E përditësuar

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

14:33

Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është “padrejtësi e papranueshme”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “padrejtësi të papranueshme” shpalljen fajtorë dhe dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, tha Kurti në reagimin e tij.

Ai kundërshtoi edhe formulimin se aktgjykimi është shqiptuar “në emër të popullit të Kosovës”, duke thënë se kjo “formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”.

Kurti kërkoi që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet në apel.

“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, tha ai.

Kurti shprehu gjithashtu mbështetje për familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
14:28

Dhjetëra qytetarë mblidhen pranë EULEX-it pas aktgjykimit në Hagë

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pranë ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Disa prej tyre kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës.

Tubimi vjen pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim.

Nuk është bërë menjëherë e qartë pse protestuesit kanë zgjedhur ndërtesën e EULEX-it si vend të tubimit.

Megjithatë, ky mision ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale, ndërsa BE-ja është financuesja kryesore e tyre.

Udhëheqësit politikë në Kosovë kanë bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

14:03

Ahmeti e quan “të padrejtë” aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Udhëheqësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut dhe një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, e ka cilësuar si “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes” aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Ahmeti bëri thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që të shmangen tensionet dhe përçarjet pas shpalljes së dënimeve.

Ai theksoi se të katërtit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe se pretendimet e mëhershme për trafikim organesh nuk u përfshinë në akuzat e këtij procesi.

“Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”, tha Ahmeti.

Ai shprehu bindjen se gjetjet për të cilat katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë, do të kundërshtohen në procesin e apelit.

“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, shkroi Ahmeti në rrjetet sociale.

Ali Ahmeti
Ali Ahmeti


13:57

Reagimet në Skenderaj pas shpalljes së aktgjykimit

Si u prit në Skenderaj vendimi i Gjykatës Speciale
Ju lutem prisni
Si u prit në Skenderaj vendimi i Gjykatës Speciale

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:42 0:00

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG