West: Vendimi i sotëm i rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe drejtësinë për viktimat
Prokurorja e Specializuara, Kimberly West, tha se e mirëpret aktgjykimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së, duke thënë se ai është i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe “drejtëi të vonuar për viktimat”.
“Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare”, tha West, sipas një njoftimi për media.
Sipas saj, ZPS-ja “nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në” dhe as “luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës”.
“Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë”, tha West.
Prokurorja West po ashtu tha se ZPS-ja do të shqyrtojë të gjithë aktgjykimin në ditët në vijim, përfshirë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit “që nuk çuan në dënime”.
SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.
Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Lajmi i plotë:
Protesta para EULEX-it
Dhjetëra qytetarë u mblodhën para ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit.
Disa nga ta hodhën gurë në drejtim të ndërtesës.
Më poshtë mund të shihni disa fotografi nga protesta para EULEX-it:
Të nderuar lexues, faleminderit që po e përcillni Radion Evropa e Lirë.
Nga unë, Valona Tela, mbulimin e zhvillimeve të mëtejshme e merr kolegia Mimoza Sadiku.