Rutte: KFOR-i i gatshëm të reagojë ndaj zhvillimeve në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se përkushtimi i Aleancës për paqen dhe sigurinë në Kosovë mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
I pyetur për mundësinë e trazirave pas vendimit, Rutte ka thënë se KFOR-i është në Kosovë për të kontribuar në stabilitet dhe paqe.
Ai ka thënë se NATO-ja do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe dislokimin e trupave të KFOR-it, në mënyrë që misioni t’i përshtatet situatës së sigurisë në terren.
Ellis: Aktgjykimi mund të ketë peshë përtej Kosovës
Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit mund të ketë rëndësi edhe për zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.
Sipas tij, një nga çështjet kryesore është nëse Prokuroria ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe pjesëmarrjen e secilit të akuzuar në të.
Gjykatësit duhet të vlerësojnë gjithashtu nëse të akuzuarit kishin kontroll efektiv mbi vartësit dhe nëse dinin, ose kishin arsye të dinin, për krimet e pretenduara.
Ellis thotë se, pavarësisht rezultatit, aktgjykimi mund t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese dhe të ndikojë në mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare trajtojnë këto forma të përgjegjësisë penale.
Çfarë presin qytetarët nga verdikti?
Pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Radio Evropa e Lirë ka pyetur qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës se çfarë presin nga vendimi i 16 shtatorit.
Nga Buroja në Podujevë, ata kanë ndarë pritjet dhe pikëpamjet e tyre për një prej vendimeve më të pritura të Dhomave të Specializuara.
Edhe një orë deri në nisjen e seancës
Edhe një orë ka mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të bëhet me 10 minuta vonesë.
Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi - të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 - ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.
Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.
Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.
Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.
Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.