Edhe 10 minuta deri në nisjen e seancës
Edhe rreth 10 minuta kanë mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca nis në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të nisë 10 minuta më vonë.
Na ndiqni!
Qindra qytetarë në Prishtinë presin verdiktin
Qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të Prishtinës për ta përcjellë drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në sheshin “Skënderbeu” është vendosur një ekran i madh, ku të pranishmit do ta ndjekin transmetimin e seancës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Shumë prej tyre mbajnë flamuj dhe simbole të UÇK-së.
Nis seanca për shpalljen e aktgjykimit
Në këto çaste, në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për shkak të vonesës prej 10 minutash në transmetimin publik, pamjet nga salla e gjyqit pritet të bëhen të qasshme nga ora 10:10.
Qytetarë mblidhen edhe në Skenderaj
Qytetarë janë mbledhur edhe në Skenderaj për ta përcjellë shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përmes një ekrani të madh, të pranishmit po e ndjekin drejtpërdrejt transmetimin e seancës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.