Trupi gjykues: U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura
Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Trupi gjykues: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së
Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.
Kush ishin personat e shënjestruar?
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.
Në këtë grup përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë serbë dhe romë.
Trupi gjykues: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal
Trupi gjykues tha se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për kryesit e krimeve.