Historiania Vukushiq: Këto dënime janë goxha të larta krahasuar me gjykatat e tjera për krime të ngjashme
Historiania nga Universiteti i Utrehtit në Holandë dhe njohësja e proceseve gjyqësore për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, Iva Vukushiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim – është goxha i lartë krahasuar me dënimet e gjykatave të kaluara për këto krime.
“U befasova kur Prokuroria kërkoi 45 vjet burgim dhe mendoj se këto dënime janë mjaft të larta krahasuar me gjykatat e tjera për këto krime. Por, tani është mundësia për ankesë në Apel, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Vukushiq.
Vukushiq – me prejardhje nga Kroacia e cila e ka studiuar thellësisht procesin e Tribunalit të Hagës – thekson se ky vendim i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë nuk mund ta vërë në pyetje ligjshmërinë e luftës së Kosovës për pavarësi.
Në përmbledhjen e aktgjykimit, gjykatësi kryesues Charles Smith, tha se Dhomat e Specializuara përballin me përgjegjësi penale të dënuarit vetëm për krime që ata i kanë kryer individualisht dhe se UÇK-ja nuk po gjykohej, edhe pse tha se ata kishin qëllimi të përbashkët kriminal.
Vukushiq nënvizon se në këtë gjyq u gjykuan individë dhe jo UÇK-ja.
“Gjykim penal i këtij lloji ka të bëjë gjithmonë me individë. Gjithmonë. Me njerëz të caktuar, viktima të caktuara, ditë të caktuara. Me krime të caktuara”, thekson ajo.
Sipas saj, njerëzit do ta interpretojnë “ashtu siç duan, do ta politizojnë, do ta manipulojnë, dhe viktimat dhe familjet e tyre ndoshta nuk do të përfitojnë nga asnjëra prej këtyre gjërave... Por gjykimi ka të bëjë me atë që kanë bërë këta njerëz, dhe vetëm me këtë”.
“Bëhet fjalë për një grup të kufizuar krimesh të pretenduara nga Prokuroria, për të cilat gjyqtarët duhej të merrnin një vendim, bazuar në prova dhe në ligj. A i provoi Prokuroria pretendimet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm në lidhje me këta individë? Ky ishte detyra, asgjë më shumë, dhe kjo është ajo që morëm”, shton Vukushiq.
Lidhur me ndikimin e mundshëm të aktgjykimit, Vukushiq shton se “unë e kam shumë të vështirë të parafytyrojë se, 30 vjet pas luftërave në ish-Jugosllavi, shumë njerëz në rajon do ta ndryshojnë mendim për atë që tashmë mendojnë për ato ngjarje, ata aktorë dhe ato krime të 30 vjetëve më parë”.
“Këto narrativa janë kryesisht të përcaktuara tashmë. Politikanët dhe institucionet kombëtare janë kujdesur për këtë”, sipas saj.
Krime të ngjashme janë gjykuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përfshirë edhe rastet ndaj komandantëve të UÇK-së, vite më parë, argumenton ajo.
“Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë mendimin e shumë njerëzve. Kjo ndoshta do të politizohet, edhe pse kryetari i trupit gjykues tha qartë: ky është një proces i ngushtë juridik – ky proces nuk ka të bëjë me UÇK-në në tërësi, as me statusin e Kosovës sot, apo me ndonjë gjë të tillë”, thotë Vukushiq.
Pas aktgjykimit, avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper tha se NATO-ja dhe Departamenti amerikan i Shtetit duhet ta shqyrtojnë këtë aktgjykim “sepse gjykata tha se partneri i tyre, UÇK-ja, ishte ndërmarrje kriminale”.
Por, sipas Vukushiqit, Prosper po “përpiqet ta politizojë hapur këtë çështje dhe të nxisë trysni politike, dhe kjo nuk është e shëndetshme dhe nuk duhet të lejohet”.
“NATO-ja dhe SHBA-ja nuk duhet të kenë asnjë rol në atë që ndodh në këtë, apo në çfarëdo salle gjyqi në Hagë”, shton Vukushiq.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.
Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për qetësi pas vendimit të Speciales
Ministri për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, lordi Stewart Wood, tha se vendimi i Gjykatës Speciale është një “moment i rëndësishëm”, por aktgjykimi nuk ka të bëjë me shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar fatin e saj.
Ai bëri thirrje për qetësi pas këtij vendimi.
“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione mes komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe t’i japin përparësi sigurisë së njerëzve”, tha Wood.
Mbretëria e Bashkuar tha se respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procedurave të saj ligjore dhe Londra mbetet e përbashkuar për “drejtësi, llogaridhënie dhe pajtim në mbarë rajonin”.
Si komentohet në Graçanicë aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së?
Zoran Iliq, një serb nga Graçanica afër Prishtinës, me të cilin bisedoi Radio Evropa e Lirë, nuk deshi ta komentonte drejtpërdrejt aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por tha se “nuk ia dëshiroj të keqen askujt”.
“Më shqetëson kjo që po ndodh në Prishtinë [protestat], nuk di çfarë t’ju them”, tha ai.
Ndërkaq, Bojana tha shkurt se shpreson që të gjitha viktimat të gjejnë paqen dhe drejtësinë që meritojnë.
Në Graçanicë, komunë me shumicë serbe në jug të Ibrit, më 16 shtator kishte dukshëm më pak njerëz në rrugë se zakonisht.
Një qytetar tjetër, Millosh, thotë se “për ne, kjo është një ditë si çdo tjetër”.
“Nuk e ngacmojmë askënd, punojmë, shohim jetën tonë dhe shpresojmë që askush të mos na ngacmojë”.
Ndërsa një tjetër banore e Graçanicës, e cila nuk deshi të identifikohej, thotë se kishte pritur dënime më të rënda për ish-krerët e UÇK-së. “Pak i kanë dënuar”.
Kos bën thirrje për respektimin e vendimit të Speciales
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur i drejtësisë, duke kërkuar që vendimet e saj të respektohen.
“Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë apelimi”, shkroi ajo në X, pasi katër ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte.
“U bëj thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, shtetet e rajonit nuk mund të tejkalojnë ndasitë dhe të bëjnë hapa para drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, u shpreh Kos.