Vuçiq: Dënimi nuk përfshiu krimet kundër njerëzimit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar vendimin e Gjykatës Speciale, tha se ai nuk përfshiu “krimet kundër njerëzimit” dhe “të gjitha krimet kundër serbëve pas 20 qershorit 1999”.
Ai po ashtu u ankua se në aktakuzën ndaj katërshes së UÇK-së nuk janë përfshirë edhe pretendimet për “trafikim organesh” dhe “shtëpia e verdhë”.
“Gjykata nuk e trajtoi qëllimin e UÇK-së për luftën për një Kosovë të pavarur, që në vetvete është një krim i paprecedent”, tha ai.
Gjykata hodhi poshtë gjashtë pika të aktakuzës që kishin të bënin me krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u gjetën fajtorë për akuza për krime lufte. Mbrojtësit e tyre kanë paralajmëruar apelim të aktgjykimit.
Vazhdon protesta para ndërtesës së Qeverisë
Qytetarë të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë po vazhdojnë protestën e tyre, pas vendimit dënues të Speciales kundër katërshes së UÇK-së.
Disa nga protestuesit kërkuan që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mblidhen dhe të diskutojnë se cila është rruga përpara, duke kërkuar që partitë të bëhen bashkë.
Në mesin e protestuesve ka edhe deputetë të PDK-së dhe Aleancës. Sala Jashari nga PDK tha se ka kërkuar që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën e krijuar pas zhvillimeve në Hagë.
Më herët gjatë ditës, pati tensione para ndërtesës së Qeverisë, me disa persona që gjuajtën me gurë në drejtim të ndërtesës së ekzekutivit.
Amnesty: Dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve tregojnë se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se dënimet për krime lufte ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u japin shpresë viktimave që kanë pritur për drejtësi “për më shumë se dy dekada”.
Kështu u citua të ketë thënë Esther Major, zëvendësdrejtoreshë rajonale për Evropën në Amnesty International, sipas një njoftimi në uebfaqen e organizatës.
Ajo tha se vendimet “tregojnë se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin” dhe se vendimet japin shpresën se “çdo përpjekje për të penguar drejtësinë, të vërtetën dhe reparacionet nuk do të tolerohet”.
Gjermania bën thirrje që të respektohet vendimi i Speciales
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, bëri thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Speciale, teksa shtoi se Kosova ka bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.
“Duke themeluar Dhomat e Specializuara dhe duke bashkëpunuar me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi, Kosova ka dëshmuar se ka kryer përgjegjësitë e saj, përfshirë ballafaqimin me krimet e luftës, si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ambasadori Rudolph.
Sipas ambasadorit gjerman, vendimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, “në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90, të cilat tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe që nxitën ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar”.