Tensionet për Grenlandën
Një nga çështjet që pritet Trump t'i trajtojë është ajo e territorit autonom të Grenlandës.
Kjo temë ka rritur tensionet mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, teksa Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë ndaj tetë shteteve evropiane që kanë dalë kundër idesë së ky territor të jetë nën kontrollin amerikan.
Para e të nisej për në Davos, Trump tha se sa i përket synimit të tij për marrjen e kontrollit të ishullit, “nuk ka kthim prapa”.
Trump më herët ka argumentuar se SHBA-së i duhet Grenlanda për të garantuar sigurinë kombëtare amerikane kundër rivalëve të Uashingtonit, Rusisë dhe Kinës.
Shtetet evropiane, që janë anëtare të NATO-s, kanë shprehur mbështetjen për Danimarkën dhe Grenlandën, dhe kanë dërguar edhe trupa në këtë territor strategjik.
Fotografitë e para të Trumpit në Cyrih
Me disa orë më vonë sesa ishte planifikuar, presidenti amerikan, Donald Trump, arriti në aeroportin e Cyrihut, prej ku do të niset për në Davos, ku do të mbajë një fjalim.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se fjalimi i udhëheqësit amerikan do të përqendrohet në politikën e tij Amerika e Para, duke shtuar se ai mund të përmend edhe situatën në Grenlandë, Venezuelë, por po ashtu do të diskutojë për Bordin e Paqes për Gazën e çështje të tjera.
Përshëndetje të nderuar lexues,
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur në Zvicër ku do t’i adresohet Forumit Ekonomik të Davosit, në një kohë të tensioneve me udhëheqësit evropianë për shkak të synimit të Uashingtonit për të marrë kontrollin e Grenlandës.
Trump udhëtoi më herët gjatë ditës drejt Zvicrës, pasi paraprakisht aeroplani presidencial u kthye pak pas nisjes, për shkak të problemeve. Më pas, Trump dhe ekipi i tij ndërruan aeroplanë dhe u nisën rreth dy orë e gjysmë më vonë drejt Zvicrës.
Aeroplani ateroi në Cyrih në mesditë dhe udhëheqësi amerikan tani niset drejt Davosit.
Ne do të përcjellim në kohë reale zhvillimet në Davos, ku janë mbledhur shumica e udhëheqësve evropianë.
Qëndroni me ne!