Ndërlidhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.

Trump: S’do të ketë tarifa, kemi pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën

  • Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 21 janar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk do të vendosë tarifa, pasi është arritur pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën.
  • Paraprakisht, gjatë fjalimit para udhëheqësve botërorë në Davos, ai kishte thënë se donte bisedime të menjëhershme për ta blerë Grenlandën.
  • Trump kishte përjashtuar përdorimin e forcës, duke theksuar: “Ndoshta s’do të marrim asgjë, përveç nëse vendos të përdor forcë dhe fuqi të tepruar, por nuk do ta bëj këtë”.
  • SHBA-ja thotë se dëshiron ta ketë kontrollin mbi territorin autonom të Danimarkës, për arsye të sigurisë kombëtare.
  • Ministri danez, Lars Lokke Rasmussen, tha se është shenjë "pozitive" që Trump e përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për Grenlandën.
12:59 21.1.2026

Përshëndetje të nderuar lexues,

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur në Zvicër ku do t’i adresohet Forumit Ekonomik të Davosit, në një kohë të tensioneve me udhëheqësit evropianë për shkak të synimit të Uashingtonit për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Trump udhëtoi më herët gjatë ditës drejt Zvicrës, pasi paraprakisht aeroplani presidencial u kthye pak pas nisjes, për shkak të problemeve. Më pas, Trump dhe ekipi i tij ndërruan aeroplanë dhe u nisën rreth dy orë e gjysmë më vonë drejt Zvicrës.

Aeroplani ateroi në Cyrih në mesditë dhe udhëheqësi amerikan tani niset drejt Davosit.

Ne do të përcjellim në kohë reale zhvillimet në Davos, ku janë mbledhur shumica e udhëheqësve evropianë.

Qëndroni me ne!

13:12 21.1.2026

Fotografitë e para të Trumpit në Cyrih

Me disa orë më vonë sesa ishte planifikuar, presidenti amerikan, Donald Trump, arriti në aeroportin e Cyrihut, prej ku do të niset për në Davos, ku do të mbajë një fjalim.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se fjalimi i udhëheqësit amerikan do të përqendrohet në politikën e tij Amerika e Para, duke shtuar se ai mund të përmend edhe situatën në Grenlandë, Venezuelë, por po ashtu do të diskutojë për Bordin e Paqes për Gazën e çështje të tjera.

13:37 21.1.2026

Tensionet për Grenlandën

Një nga çështjet që pritet Trump t'i trajtojë është ajo e territorit autonom të Grenlandës.

Kjo temë ka rritur tensionet mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, teksa Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë ndaj tetë shteteve evropiane që kanë dalë kundër idesë së ky territor të jetë nën kontrollin amerikan.

Para e të nisej për në Davos, Trump tha se sa i përket synimit të tij për marrjen e kontrollit të ishullit, “nuk ka kthim prapa”.

Trump më herët ka argumentuar se SHBA-së i duhet Grenlanda për të garantuar sigurinë kombëtare amerikane kundër rivalëve të Uashingtonit, Rusisë dhe Kinës.

Shtetet evropiane, që janë anëtare të NATO-s, kanë shprehur mbështetjen për Danimarkën dhe Grenlandën, dhe kanë dërguar edhe trupa në këtë territor strategjik.

14:00 21.1.2026

Shefi i NATO-s: Prioriteti i SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë Ukraina

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha më 21 janar, pak orë para fjalimit të udhëheqësit amerikan në Davos, tha se aleatët e aleancës ushtarake perëndimore nuk duhet të lejojnë që tensionet për Grenlandën t’i shpërqendrojnë ata nga nevoja për të mbrojtur Ukrainën.

“Përqendrimi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor, është thelbësor për sigurinë evropiane dhe të SHBA-së”, tha ai gjatë një paneli në Davos.

Rutte po ashtu foli për një deklaratë të bërë nga Trumpi se aleatët evropianë nuk do të ndihmonin në mbrojtjen e SHBA-së nëse një gjë e tillë do t’iu kërkohej.

“Ai mbrëmë tha se ka dyshime nëse evropianët do ta ndihmonin nëse Neni 5 do të aktivizohej. I them presidentit Trump se po, ata do ta ndihmojnë”, tha Rutte.

“Nuk kam asnjë dyshim që SHBA-ja do të na dalë në ndihmë, dhe ne do t’i dalim në ndihmë asaj”, shtoi ai.

Shefi i NATO-s tha po ashtu se po punon “në prapaskenë” që mospajtimet për Grenlandën të zgjidhen përmes diplomacisë.

Ai është i vetmi udhëheqës që deri tani ka konfirmuar se do të takohet me Trumpit gjatë qëndrimit në Davos.

Për më shumë, lexoni lajmin:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG