Trump arrin në Davos
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur në Davos, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik.
Aeroplani presidencial amerikan ateroi pak pas mesditës në aeroportin e Cyrihut dhe që atje, Trump u nis drejt Davosit.
Trump ishte paraparë që të arrinte më herët në Zvicër, por për shkak të një problemi elektrik iu desh të kthehej në SHBA pak pas nisjes dhe të ndërronte aeroplan.
Starmer: Britania nuk do të dorëzohet para trysnisë së Trumpit për Grenlandën
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka thënë se nuk do t’i nënshtrohet presidentit amerikan, Donald Trumpit, dhe se do të vazhdojë ta kundërshtojë përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Starmer ka synuar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Trumpin për t’i ruajtur lidhjet tregtare dhe të sigurisë, por në disa nga kritikat e tij më të ashpra ndaj liderit amerikan, ai tha se nuk do të frikësohet për ta ndryshuar qëndrimin e tij se e ardhmja e Grenlandës duhet të vendoset nga populli i saj dhe nga Danimarka.
“Nuk do të zbythem, Britania nuk do të zbythet, nga parimet dhe vlerat tona për të ardhmen e Grenlandës nën kërcënimin e tarifave, dhe ky është qëndrimi im i qartë”, u tha Starmer ligjvënësve, duke shtuar se kryeministrja daneze do të vizitojë Londrën të enjten.
Trump e fillon fjalimin në Davos
Presidenti amerikan, Donald Trump, po mban fjalim tani para liderëve botërorë në forumin e Davosit në Zvicër.
Ai e nisi fjalimin me Amerikën, me saktë, me ekonominë amerikane, duke e lavdëruar atë.
"Ekonomia po lulëzon", tha ai.
Trump: Evropa nuk po shkon në drejtimin e duhur
Trump thotë se Evropa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shtuar se “pjesë të Evropës janë bërë të panjohura”.
Sipas tij, “përqendrimi në energjinë e gjelbër dhe migrimi masiv po e lëndojnë Evropën”.
“E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ec në drejtimin e duhur”.