Ndërlidhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.

Trump: S’do të ketë tarifa, kemi pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën

  • Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 21 janar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk do të vendosë tarifa, pasi është arritur pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën.
  • Paraprakisht, gjatë fjalimit para udhëheqësve botërorë në Davos, ai kishte thënë se donte bisedime të menjëhershme për ta blerë Grenlandën.
  • Trump kishte përjashtuar përdorimin e forcës, duke theksuar: “Ndoshta s’do të marrim asgjë, përveç nëse vendos të përdor forcë dhe fuqi të tepruar, por nuk do ta bëj këtë”.
  • SHBA-ja thotë se dëshiron ta ketë kontrollin mbi territorin autonom të Danimarkës, për arsye të sigurisë kombëtare.
  • Ministri danez, Lars Lokke Rasmussen, tha se është shenjë "pozitive" që Trump e përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për Grenlandën.
20:58 21.1.2026

Trump: S’do të ketë tarifa, kemi pajtueshmëri rreth kornizës së marrëveshjes për Grenlandën

Disa orë pas fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se nuk do të vendosen tarifa në shkurt ndaj disa vendeve evropiane lidhur me qëndrimin e tyre për Grenlandën.

Ai tha është arritur pajtueshmëri për kornizën e një marrëveshjeje për të ardhmen e ishullit gjysmautonom të Danimarkës, pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Kemi ndërtuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën dhe, në fakt, me të gjithë rajonin e Arktikut. Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s”, shkroi Trump në Truth Social.

Ai shtoi se, “bazuar në këtë mirëkuptim, nuk do të vendos tarifat që ishte planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt. Po zhvillohen gjithashtu diskutime shtesë lidhur me ‘Kupolën e Art’ në Grenlandë. Informacione të tjera do të bëhen të ditura me përparimin e bisedimeve”.

Trump tregoi se nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff do të jenë përgjegjës për bisedimet.

Trump nuk dha hollësi se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, por theksoi për CNBC se "marrëveshja për Grenlandën do të zgjasë përgjithmonë".

21:37 21.1.2026

Rasmussen: Danimarka e mirëpret njoftimin e Trumpit për tarifa

‍Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke ‌Rasmussen, tha se e mirëpret njoftimin e Trumpit për të hequr dorë nga vendosja e tarifave shtesë ndaj tetë vendeve evropiane lidhur me Grenlandën, raporton Reuters.

Në një intervistë me transmetuesin kombëtar danez DR, ai përsërit se për Danimarkën është e rëndësishme ta përfundojë këtë çështje në një mënyrë që nderon popullin e Grenlandës.

“SHBA-ja nuk ka për ta zotëruar Grenlandën. Kjo është vijë e kuqe”, shtoi ai.

Ai thotë se premtimi i Trumpit për të mos përdorë forcë është gjë e mirë, por se është e qartë se presidenti ka synime që Danimarka nuk mund t’i pranojë.

Ndërkohë shefi i NATO-s, Mark Rutte, nuk ka folur ende pas takimit me Trumpin.


21:59 21.1.2026

NATO: Aleatët e aleancës do të punojnë së bashku për sigurinë në Arktik

Ndërkohë, kemi edhe reagimin e NATO-s pas takimit të Ruttes me Trumpin.

Një zëdhënës i NATO-s tha se aleatët e NATO-s do të punojnë për ta siguruar së bashku sigurinë në Arktik.

“Diskutimet midis aleatëve të NATO-s mbi kornizën që presidenti përmendi do të përqendrohen në garantimin e sigurisë në Arktik përmes përpjekjeve kolektive të aleatëve, veçanërisht të shtatë aleatëve të Arktikut”, tha zëdhënësi.

“Negociatat midis Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë me qëllim që Rusia dhe Kina të mos fusin kurrë këmbë – ekonomikisht apo ushtarakisht – në Grenlandë”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, në Davos.


Lexues të nderuar,

Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës.

Forumi do të vazhdojë edhe në dy ditët e ardhshme, ku Trump pritet të flasë edhe për Bordin për Paqe për Gazën.

Sa për dijeni, edhe Kosova e ka pranuar ftesën e liderit amerikan për të qenë pjesë e këtij bordi.

Faleminderit që na ndoqët!

XS
SM
MD
LG