Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë: Trump e ka pasur edhe një bisedë të shkurtër me Putinin

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë mbajtur edhe bisedën e dytë, të cilën nuk e kanë zbuluar më parë, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, në fillim të këtij muaji në Gjermani, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Të dy zyrtarët e lartë e kanë mbajtur një takim bilateral, që ka zgjatur më tepër se dy orë, më 7 korrik, ndërsa një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump dhe Putin, po ashtu, kishin “një bisedë të shkurtër” gjatë darkës së liderëve botërorë në samit, nikoqire e së cilës ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në pamjet televizive të darkës shihet se Melania Trump, bashkëshorte e presidentit, Donald Trump, ishte ulur afër Putinit.

Presidenti Trump, pastaj, në fund të darkës shkoi tek ata dhe u afrua te Putini, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke theksuar se biseda nuk konsiderohet se ishte takimi i dytë bilateral.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Michael Anton, nuk e ka specifikuar zgjatjen e bisedës. Por, ai tha se diskutimi ishte i rastësishëm dhe nuk mund të karakterizohet si “takim”.

Bisedimi gjatë ëmbëlsirës nuk duhet të karakterizohet si takim”, tha Michael Anton.

Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se “nuk ka ekzistuar takim i dytë ndërmjet presidentit Trump dhe presidentit Putin, por vetëm një bisedë e shkurtër në fund të darkës”.

Insinuata se Shtëpia e Bardhë është përpjekur ta fshehë takimin e dytë është false, qëllimkeqe dhe absurde”, tha ky zyrtar.

Në një postim të mbrëmshëm në rrjetin Twitter, presidenti Trump ka shkruar: “Tregimi i lajmit të rrejshëm të darkës sekrete me Putinin është i sëmurë. Të gjithë liderët e G20-tës, dhe bashkëshortet, ishin ftuar nga kancelarja gjermane. Shtypi e ka ditur!

Lajmi i rrejshëm po bëhet gjithnjë e më tepër i pandershëm! Bile edhe darka e aranzhuar për liderët e lartë të G20-tës në Gjermani është bërë që të duket djallëzore”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter.

Ian Bremmer, presidenti i grupit konsultues të rrezikut politik, Eurasia Group, i cili kishte biseduar me dy njerëz që kanë marrë pjesë në këtë darkë, situatën e ka paraqitur më ndryshe se Shtëpia e Bardhë.

Ai tha se Trump ishte ngritur nga karrigia e tij diku në mes të darkës dhe e kishte kaluar afro një orë duke biseduar “privatisht dhe në mënyrë të gjallë” me Putinin, ku ishte “vetëm edhe përkthyesi i Putinit”.

Mungesa e përkthyesit amerikan ka shkaktuar befasi në mesin e liderëve të tjerë në samit, tha Bremmer, i cili këtë e cilësoi si “shkelje të protokollit të sigurisë kombëtare”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se në këtë takim rolin e përkthyesit e kishte një person rus, pasi përkthyesi amerikan në këtë darkë nuk fliste rusisht. Presidenti Trump ishte ulur afër bashkëshortes së kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Përkthyesi i tij kishte folur japonisht.

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara ka pranuar se personat e tjerë në samit ishin të befasuar ta shihnin Trumpin të angazhuar me Putinin, ndërsa askush tjetër nuk ishte i pranishëm.

Askush nuk është i sigurt se për çka kishin biseduar ata dhe se a ishte kjo bisedë e pastër shoqërore ose i ka prekur çështjet bilaterale ose ato ndërkombëtare”, tha ky zyrtar.

Zoti Trump është nën shqyrtim intensiv për shkak të dyshimeve se ekipi i fushatës së tij ndoshta ka bashkëpunuar me përpjekjet ruse për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2016.

Zoti Trump e ka hedhur poshtë çfarëdo bashkëpunimi me rusët.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG