Ndërlidhjet

Hetuesi: Loja ruse për doping, rrezikon perspektivën olimpike të saj


Richard McLaren, hetues në Agjencinë Botërore Kundër Dopingut (WADA)
Richard McLaren, hetues në Agjencinë Botërore Kundër Dopingut (WADA)

Personi i cili është autor i raportit madhor për dopingun në sportin e Rusisë, thotë se ky vend po rrezikon ndëshkim më të ashpër, duke vazhduar ta mohojë përfshirjen e shtetit në skemën e dopingut.

Duke folur dje para gazetarëve në një konferencë për sport në Holandë, hetuesi i Agjencisë Botërore Kundër Dopingut (WADA), Richard McLaren, tha se Rusia po e luan një lojë të rrezikshme, para vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkmëbtar (KON), javën e ardhshme, nëse atletët e Rusisë do të duhej të lejoheshin të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pionçang të Koresë Jugore, në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Sa më shumë që ju vazhdoni të shprehni deklarata të tilla të mohimit, ju më tepër e krijoni rastin për sanksione më të fuqishme kundër vetvetes tuaj”, tha Richard McLaren.

Zyrtarët rusë, prej presidentit, Vladimir Putin, e më tutje, të gjithë e kanë hedhur poshtë çfarëdo përfshirje në një varg të rasteve të dopingut, që kanë çuar në ndalesën për dhjetëra sportistë të Rusisë nga garat e ndryshme gjatë dy viteve të fundit.

Muajin e kaluar, Putin ka sugjeruar se akuzat ishin të orkestruara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i krijuar atij probleme në zgjedhjet presidenciale ruse, në mars të vitit 2018.

Megjithqë, Putin zyrtarisht nuk ka shpallur ende se do të garojë për rizgjedhje, pritet gjërësisht që ai të jetë kandidat dhe të fitojë.

Hetuesi i agjencisë WADA, Richard McLarren, i cili ishte autor i dy raporteve autoritative për dopingun rus, të publikuar në korrik të vitit 2016, i ka hedhur poshtë sulmet e Putinit kundër Shteteve të Bashkuara, duke thënë se “puna ishte bërë para më tepër se një viti dhe nuk ka asnjë kredibilitet” në këto akuza.

Komentet e zotit McLaren u bënë në ditën kur prokurorët rusë e kanë përsëritur akuzën e tyre se ish-shefi i laboratorit të Moskës për test të drogës, Grigory Rodchenkov, në masë të madhe, ishte përgjegjës për skandalin e dopingut.

Rodchenkov, më herët, ishte larguar nga Rusia në Shtetet e Bashkuara, ku jeton duke u fshehur. Hetuesi, Richard McLaren, i ka konfirmuar shumë prej akuzave të zotit Rodchenkov, në raportet e tij.

Por, autoritetet ruse dje thanë se ishte Rodchenkov, ai që ka shpërndarë drogë tek sportisët dhe i ka manipuluar rezultatet e testeve, siç akuzon McLaren, e jo zyrtarët e tjerë shtetërorë.

McLaren është përgjigjur duke thënë se konsideron se Rodchenkov, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në skemën e dopingut derisa ishte në detyrë, nuk do të dëshironte të rrezikonte, që eventualisht të dëbohej nga Shtetet e Bashkuara, duke gënjyer për një çështje kaq të madhe.

“Në një pozitë në të cilën ai gjendet, mendoj se do të ishte ekstremisht e rrezikshme për të gënjyer”, tha McLaren.

Në dy raportet e tij, Richard McLaren ka shkruar se Ministria e Sportit dhe Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (FSB) së Rusisë, ishin të përfshira në skemën e dopingut dhe në fshehjen e saj.

Ai theksoi se agjencitë e tilla kishin kryer ndërrim të mostrave të infektuara të urinës, me mostra të pastra në Lojërat Olimpike Dimërore, në Soçi të Rusisë, në vitin 2014.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG