Ndërlidhjet

Drejt Brukselit për liberalizimin e vizave dhe agjendën evropiane


Kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Foto nga arkivi

Një rekomandim pozitiv, është pritja dhe kërkesa minimale e Prishtinës nga Komisioni Evropian në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Liderët në funksionet më të larta shtetërore të Kosovës, nisur nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pritet që të mërkurën të qëndrojnë në Bruksel për të diskutuar agjendën evropiane për Kosovën.

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, pritet të jenë temat bosht të takimeve ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Një ditë para kësaj vizite, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova me të drejtë pret vlerësimin e Komisionit Evropian se i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, si dhe të hapë procesin pozitiv për një gjë të tillë.

“Vet fakti se do të jemi atje të gjithë udhëheqësit e institucioneve, bartë një farë porosie në veti, për një Kosovë të qëndrueshme dhe funksionale. Besoj që është shumë me rëndësi që institucionet e BE-së ta kuptojnë që Kosova duhet të kthejë diçka në shtëpi nga angazhimi në procese, qoftë nga zbatimi i reformës, nga MSA-ja, nga dialogu. Qytetarët e Kosovës, ata nga të cilët ne politikanët varemi, e presin liberalizimin. Pra, është bukur vështirë për Kosovën, ta zëmë, që të mos e presin liberalizimin dhe të mos ndodhë liberalizimi. Kjo është kryesorja sipas meje”, tha Haradinaj.

Megjithatë, Haradinaj ka theksuar se një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian për Kosovën, do të jetë vetëm realizim i hapit të parë drejt liberalizimit të vizave.

Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë kanë refuzuar që të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës, që udhëton për në Bruksel, për shkak se në krye të delegacionit është presidenti Thaçi. Ky i fundit, të mërkurën, me ndërmjetësimin e shefes për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini, pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeminsitri Haradinaj ka theksuar se partitë opozitare e kanë pasur rrugën e hapur që të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës.

“Ka mundur të vijë opozita. Mund të vijë edhe herën tjetër. Megjithatë, institucionet duhet t’i kryejnë disa detyra që i kanë para vetes. Është një situatë e tillë që duhet të veprojmë dhe nuk mund ta vonojmë vendin”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate, parti kjo opozitare, ka ndërmarrë një nismë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, për platformën e dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, siç ka sqaruar për mediat në Prishtinë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti nga Partia Socialdemokrate, dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk i kanë dhënë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të tillë.

“Mosmbajtja e kësaj seance ia mundëson Hashim Thaçit, shkuarjen e tij, siç ka bërë gjatë këtyre viteve”, ka thënë Dërguti.

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “ky Kuvend nuk e ka formatin dhe autoritetin që të bartë kurrfarë delegimi apo përgjegjësie më këtë angazhim” dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në mënyrë që, sipas tyre, të sigurohet “legjitimiteti i përfaqësimit”.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu më herët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës dhe se konsensusi i spektrit politik, i cili është kërkuar nga Qeveria e Kosovës lidhur me qasjen ndaj dialogut, sipas tyre është kërkesë “për konsensus për Thaçin”. Lëvizja Vetëvendosje, “në asnjë rrethanë nuk pajtohet që Thaçi të jetë prijës e as pjesë e ekipit” të Kosovës në dialogun me Serbinë.

XS
SM
MD
LG