Ndërlidhjet

Takimi i radhës midis presidentëve Thaçi e Vuçiq më 18 korrik


Takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, pritet të zhvillohet më 18 korrik, ka konfirmuar kabineti i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të mërkurën e ardhshme në Bruksel në kuadër të vazhdimit të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve, bëhet e ditur nga kabineti i Mogherinit.

Kjo fazë e dialogut, nga të dyja palët është cilësuar si finale e vendimeve që pritet të merren në këtë proces të gjatë të bisedimeve.

Në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Përfaqësueses së lartë të BE-së, thuhet se në takim do të diskutohet për vazhdimin e procesit që do të çojë drejt marrëveshjes. Bashkimi Evropian pret që të sigurohet nga të dyja palët se do të bashkëpunojnë që procesi të vazhdojë tutje në mënyrë intensive.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi të enjten gjatë një vizite në Kaçanik se pret që në takimin e 18 korrikut të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe vazhdimin e procesit deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Duke u ndërlidhur me qëndrimet e partive politike në Prishtinë, sidomos opozitës e cila nuk po pajtohet qoftë me rolin udhëheqës të presidentit Thaçi apo me formën e bisedimeve, Thaçi tha se ky proces është në vazhdim e sipër dhe nuk mund të bllokohet.

“Shteti është i të gjithëve, askush nuk mund ta përmbyllë i vetëm këtë proces, por askush nuk mund ta bllokojë i vetëm këtë proces i cili është shumë i rëndësishëm”, theksoi Thaçi. Sipas presidentit të Kosovës, autoritetet më të larta të BE-së ua kanë bërë të qartë palëve në dialog se pa arritjen e marrëveshjes për normalizim nuk do të ketë të ardhme në proceset integruese evropiane.

Takimi i fundit mes presidentëve Thaçi e Vuçiq është zhvilluar po në Bruksel, më 15 qershor.

Të dy presidentët kanë paralajmëruar tashmë kompromise e vendime të vështira, por të cilat nuk i kanë trajtuar para opinionit.

XS
SM
MD
LG