Ndërlidhjet

Rasti i Lajçit mbetet publik në Dhomën e Specializuar


Ndërtesa e Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, të mërkurën ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që kërkesa për shqyrtim të kushtetutshmërisë, me rastin e procedurës së intervistimit të Driton Lajçit, drejtuesit të Zyrës qeveritare për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga Dhomat e Specializuara, të klasifikohet nga dokument publik në dokument të besueshëm.

Prokurori i specializuar Jack Smith, konsideron që publikimi i informatave nga ajo kërkesë mund të ndikojë në integritetin dhe besueshmërinë e hetimit.

Kundër klasifikimit të sërishëm, nga një dokument publik në dokument të besueshëm, ka qenë vetë Lajçi.

Radio Evropa e Lirë më 15 nëntor ka shkruar që Zyra e prokurorit të Specializuar në Hagë po bën hetime për rolin e Zyrës së Qeverisë për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga Dhomat e Specializuara, si dhe për drejtuesin e kësaj zyre, Driton Lajçin.

Hetimi po bëhet për shkak të pengimit të mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimin për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare, si dhe të frikësimit gjatë zhvillimit të procedurës.

Siç thuhet, Lajçi, i cili është intervistuar në Hagë, më 17 tetor, është mbrojtur në heshtje, për shkak se, siç ka thënë, me gjithë insistimin e tij, nuk është lajmëruar paraprakisht se për çfarë vepra penale specifike bëhet fjalë, për bazat e provave për dyshimin se ka kryer vepër penale, ndërkaq që për pretendimet specifike nuk ka qenë i njoftuar as gjatë intervistimit.

Avokati i tij, Toby Cadman ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, ka dorëzuar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të procedurës së intervistimit, gjë që është edhe pjesë e dokumentacionit publik.

Ajo kërkesë, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, më 14 nëntor, për disa orë ishte publikuar në faqen e internetit të Dhomës së Specializuar dhe më pas ishte larguar.

Nga Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar që kërkesa mund të tërhiqet nga faqja e internetit, në rast se ekzistojnë shqetësime të palëve dhe pas shqyrtimit nga Dhoma kompetente, sërish mund të publikohet ose mund të klasifikohet si e besueshme.

Në fakt, prokurori kryesor Jack Smith, më 18 nëntor, ka kërkuar nga Dhoma e Specializuar në kuadër të Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë, që dokumentin ta klasifikojë sërish si të besueshëm dhe në mënyrë që të mbrohet besueshmëria dhe integriteti i hetimit në vazhdim.

Ai ka shtuar që në kërkesë, janë informatat që nuk është dashur që të bëhen publike në këtë periudhë, sikurse që janë përmbajtja e postës elektronike, të cilën prokurori ia kishte dërguar Lajçit, se po bëhet hetime ndaj Zyrën së Qeverisë dhe të vetë Lajçit, për shkak të pengimit të hetimit dhe shkeljes së neneve të Kodit Penal të Kosovës në lidhje me pengimin e provave, dokumenteve zyrtare dhe frikësimit gjatë procedurës; se Prokurori gjatë intervistimit të Lajçit, me gjithë vendimin e tij që të mbrohet me heshtje, e ka pyetur Lajçin se a është ky vendim i bazuar në lirinë nga vet-inkriminimi dhe të tjera.

“Klasifikimi i sërishëm i kërkesës është garanci, marrë parasysh që publikimi i këtyre informatave mund të ndikojë në integritetin, sigurinë dhe besueshmërinë e hetimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në kërkesën e prokurorit Jack Smith.

Ndërkohë, Lajçi, në përgjigjen ndaj kërkesës së prokurorit, ka kërkuar nga Dhoma e Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë që të refuzojë kërkesën e prokurorit dhe që kërkesa e tij të jetë dokument publik, ashtu siç Dhoma, në fakt edhe ka vendosur dhe dokumenti i Lajçit është bërë sërish publik.

*Video nga arkivi: Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Arsyet e vendimit do të publikohen më vonë, kurse trupi gjykues përbëhej nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roland Dekkers dhe Antonio Balsamo.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë është instanca e fundit e cila interpreton Kushtetutën lidhur me pyetjet që kanë të bëjnë me punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Krimet kundër zbatimit të drejtësisë, gjegjësisht krimet që bëhen gjatë proceseve gjyqësore, sikurse që janë: shkatërrimi i provave, frikësimi i dëshmitarëve dhe të tjera, është ndër pjesët mbi të cilat Gjykata Speciale ka kompetencë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, sipas ligjeve të Kosovës, të cilët ndërlidhen me pretendimet nga raporti i eurodeputetit zviceran, Dick Marty, në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG