Ndërlidhjet

Dy dekada nga Marrëveshja e Ohrit 


Maqedoni e Veriut: liderët maqedonas dhe shqiptarë, duke nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, më 13 gusht 2001.
Maqedoni e Veriut: liderët maqedonas dhe shqiptarë, duke nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, më 13 gusht 2001.

“Marrëveshja e Ohrit mbetet alternativa më e mirë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, ka theskuar kështu me rastin e 20 vjetorit të këtij Dokumenti Kornizë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Një argument i fortë në mbështetje të kësaj teze, është se edhe atëherë po dhe sot, edhe kritikët më të ashpër, nuk janë në gjendje të ofrojnë një alternativë tjetër të zbatueshme”, ka theksuar presideniti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, duke vendosur themelet e një kontrate të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popujt më të mëdhenj që popullojnë këtë në vend, për ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë së Veriut si shtet.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja, të përfaqësuar nga lehtësuesit James Perdew dhe Francois Leotard.

Për Artan Grubin, zëvendëskryeministër për Sisteme Politike, Marrëveshja e Ohrit mbetet dokumenti që i hap rrugë procesit të integrimeve euroatlantike, pasi siç ka nënvizuar ai, ky dokument kornizë gjeneroi dhe Marrëveshjen e Prespës, që i hapi rrugë zgjidhjes së konfliktit me Greqinë, me këtë dhe debllokomit të procesit të integrimeve në NATO, si edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që synon të debllokojë dhe procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian.

“Po të mos ishte Ohri nuk do të ishte Prespa, po të mos ishin të dyjat nuk do të kishim NATO, por ne nuk duhet të ndalemi këtu, por duhet të gjejmë forcë për ta zbatuar edhe marrëveshjen e tretë (Marrëveshjen me Bullgarinë) me po të njëjtin guxim dhe përkushtim, duke vulosur të ardhmen tonë evropiane”, tha Grubi.

Ali Ahmeti: sfidë mbetet tejkalimi i paragjykimeve

Ndërkaq ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti aktualisht kryetar i partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Dokumentit Kornizë, ka theksuar se tani shqiptarët janë faktor i rëndësishëm i të gjitha zhvillimeve demokratike, megjithëse ka shtuar se tani mbetet sfidë për tejkalimin e paragjykimeve.

“Ne kemi përgjegjësi të mëdha historike edhe si parti politike, që të punojmë me njërëzit që t'i tejkalojmë paragjykimet. Akoma ka paragjykime në këtë vend, akoma ka interesa që motivohen nga ideologji dhe vende që nuk e duan përparimin e vendit tonë“, tha Ahmeti.

VMRO DPMNE nuk merr pjesë në shënimin e jubileut të 20 vjetorit të MO

Përderisa nga partia maqedonase në opozitë VMRO DPMNE, kanë theksuar se nuk do të marrin pjesë në shënimin e jubileut të marrëveshjes së Ohrit, pasi siç kanë theksuar, nuk është koha për festë dhe ceremoni në momentin që vendi po përballet me shifra të larta të të infektuarve me koronavirusin e ri.

“Marrëveshja e Ohrit është çështje e kryer. Për ne janë të papranueshme paradat private, në kohën kur vendi ndodhet në momentet më të vështira në historikun e vendit. Në vend se paratë t'i riorientojnë për nevojat e qytetarëve, kanë vendosur të festojnë kur më së paku është koha për festë”, ka thënë lideri i VMRO DPMNE-së Hristian Mickovski.

Pas dy dekadave gjendet një nga ekzemplarët e vetëm origjinal të Marrëveshjes së Ohrit

Një nga ekzemplarët origjinal të Marrëveshjes së Ohrit dy dekada më pas, gjatë jubileut të saj, është dorëzuar në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, për çka drejtori i këtij institucioni, Emil Kërsetvski, ka theksuar se më në fund ky dokument do të jetë i qasshëm për studiuesit por edhe të gjithë të interesuarit .

“Dokumentin origjinal do ta ruajmë, do ta dixhitalizojmë dhe i njëjti do të jetë i qasshëm për secilin që është i interesuar për historinë dhe detajet. Ky dokument do të ruhet ashtu siç duhet, me të gjitha standardet evropiane” , është zotuar Emil Krsteski, drejtor i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Ilir Luma zyrtar i lartë i Partisë për Prosperitet Demokratik, parti kjo e cila ka marrë pjesë aktive në përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit, për REL thotë se duke parë neglizhencën e institucioneve por edhe të partive politike të cilat nuk e kishin arkivuar të vetmin ekzemplar në origjinal të dokumentit kornizë, për dy dekada e ka ruajtur në kushte shtëpie.

Luma thotë se “Falë kujdesit jashtëzakonisht pedant të sekretarit teknik të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) Qemal Limanit, ky dokument është ruajtur me shumë kujdes në zyrat e partisë".

“Kur u ndërprenë aktivitet e PPD-së si parti dhe ne dorëzuam zyrat që shfrytëzonim, këtë dokument e mora në shtëpi që të mos humbiste, ashtu siç është humbur nga tre partitë e tjera nënshkruese të këtij dokumenti.”

“Unë u kujdesa me dekada për këtë dokument dhe në fund ta dorëzoj sepse mendoja se ky lloj dokumenti, pavarësisht se kush si e vlerëson, ka një rëndësi historike dhe duhet të qëndroj në institucionet relevante siç është Arkivi Shtetëror i Maqedonisë së Veriut.

Ky është dokumenti i vetëm në origjinal i Marrëveshjes së Ohrit, që për fat të mirë ne arritëm ta ruajmë dhe për fat të keq ata që se ruajtën, sepse ky dokument duhet të ishte pjesë e presidencës së shtetit, pjesë e arkivit të të gjitha partive nënshkruese të këtij dokumenti, VMRO DPMNE, Lidhja Social Demokrate dhe Partia Demokratike Shqiptare dhe një kopje të origjinalit duhet ta kishte dhe kuvendi i Maqedonisë së Veriut, si institucioni më i lartë që e ka ratifikuar këtë dokument”, thotë Ilir Luma, ish zyrtarë i lartë i Partisë për Prosperitet Demokratik i cili ka marrë pjesë aktive, në përpilimin e këtij dokumenti kornizë.

Marrëveshjes së Ohrit, dy dekada i është sfiduar jetësimi në partiakë.

Partitë politike shqiptare, në vazhdimësi e kanë fajësuar njëra tjetrën për pa aftësinë që të zbatojnë këtë marrëveshje në praktikë në kohën e paraparë, gjegjësisht brenda katër viteve.

Faktori politik maqedonas i ka bishtnuar në vazhdimësi jetësimit të MO-së

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se pala maqedonase pa përjashtim, varësisht se cila në kohë të caktuar ka qenë në pushtet, ka pamundësuar realizimin e së njëjtës përmes definimit jo të qartë në Kushtetutën e vendit.

Zemri Elezi, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se ndryshimi i kushtetutës, ku të drejtat e shqiptarëve që burojnë nga ky dokument, në mënyrë të qartë do të definohen, do të pamundësoj vendosjen e barrierave nga individë të caktuar, që drejtojnë institucione të caktuara, siç është rasti me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

“Maqedonisë së Veriut i duhet një kushtetutë e re demokratike, një kushtetutë gjithëpërmbyllëse e parimeve themelore politike, që për bazë e kanë Marrëveshjen e Ohrit, që mos të ketë probleme në zbatimin e saj por të këmi një shtet funksional”, thotë Elezi.

Marrëveshja e Ohrit hapi dyert për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, por çalon përfaqësimi cilësor.

Një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit, është përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e shtetit, në përputhje me përfaqësimin e popullsisë në shtet në bazë, të dhënave zyrtare.

Pjesa më e madhe e institucioneve kanë arritur të realizojnë këtë shtyllë të dokumentit kornizë, megjithëse sfidë mbetet përfaqësimi i shqiptarëve me kuadër cilësorë.

“Presioni politik dhe insistimi që me çdo kusht dhe sa më parë të arrihet ai 25 përqindëshi i shqiptarëve të përfaqësuar në institucione, pa llogaritur në kapacitetet tona shoqërore të kuadrove profesionale, veçanërisht gjatë dekadës së parë pas marrëveshjes së Ohrit, po reflektohet në një administratë jo efikase, sidomos në komunat me shumicë shqiptare”, vlerëson Vedije Ratoceri ligjëruese në Fakultetin Juridik, e cila ka realizuar dhe më shumë hulumtime lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit.

Në këtë drejtim, Temello Ristevski nga Fakulteti i Administratës Publike në Shkup, thotë se Marrëveshja e Ohrit na mësoj të jetojmë pranë njëri tjetrit, por jo të jetojmë me njëri tjetrin, duke u lënë të ecin para më të mirët dhe jo numrat .

“Nuk ka dobi askush nga ne nga ata të punësuar që nuk dinë ta bëjnë punën e tyre. Gjithë secili nga ne dëshiron të ketë shërbime cilësore dhe në kohë, e këtë mund ta ofrojnë vetëm kuadrot cilësorë”, thotë Ristevski.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG