Ndërlidhjet

Edhe pak orë për rivalët e Netanyahut që të zyrtarizojnë koalicionin


Flamuri izraelit.

Rivalët e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu janë duke tentuar që deri në mesnatë të zyrtarizojnë marrëveshjen për krijim të koalicionit, që do ta rrëzonte nga pushteti liderin e tanishëm.

Politikani opozitar i qendrës Yair Lapid dhe ultranacionalisti Naftali Bennet janë pajtuar për të krijuar koalicion, mirëpo mediat lokale kanë raportuar më 2 qershor se ata janë duke punuar në disa detjae të vogla.

Ata kanë thënë se në koalicion mund të përfshihen edhe parti tjera.

Lapid duhet ta informojë presidentin izraelit deri në mesnatë, që ka formuar koalicionin, duke kontrolluar të paktën 61 ulëse në Parlamentin izraelit.

Legjislatura më pas ka një javë kohë për të mbajtur një votëbesim, ashtu që të konfirmohet qeveria.

Nëse afati kohor kalon pa marrëveshje, Parlamenti mund të zgjedhë një kandidat tjetër dhe të tentojë të formojë koalicionin e ri.

Nëse edhe kjo gjë dështon, shteti shkon në zgjedhjet e pesta në vetëm dy vjet, çka edhe i mundëson Netanyahut të mbetet në pushtet.

Sipas kushteve të marrëveshjes në mes të politikanëve të qendrës dhe ultranacionalistëve, Bennet dhe Lapid do të fitojnë me rotacion pozitën e kryeministrit.

Bennet besohet se do të jetë i pari në këtë pozitë.

Netanyahu 71-vjeçar, i cili përballet me proces gjyqësor për mashtrime dhe ryshfet, ka udhëhequr për 15 vjet.

Ai hedh poshtë të gjitha akuzat kundër tij.

Mes tjerash, Netanyahu e ka konsideruar koalicionin e fundit si të keq për sigurinë e Izraelit.

XS
SM
MD
LG