Ndërlidhjet

Egjipt: Sulmi në xhami, më vdekjeprurësi në historinë moderne

  • RFE /RL

Pamje pas sulmit në xhami

Ushtria e Egjiptit thotë se i ka ndërmarrë disa sulme ajrore kundër disa makinave të përdorura në sulmin e së premtes kundër një xhamie të komunitetit fetar, sufi, me ç’rast janë vrarë dhe plagosur qindra njerëz në pjesën veriore të Gadishullit Sinai.

Në njoftimin e së shtunës , ushtria e Egjiptit tha se makinat ishin goditur në afërsi të vendit ku kishte ndodhur sulmi. Njëherësh, prokurorët e Egjiptit thanë se nga sulmi në qytetin Bir al-Abd, afro 40 kilometra nga kryeqyteti rajonal, El-Arish, janë vrarë 305 vetë, përfshirë 25 fëmijë, ndërsa janë plagosur 128 persona të tjerë.

Në kumtesën e prokurorëve, po ashtu, theksohet se 25 e deri në 30 militantë, të përfshirë në këtë sulm, ishin pjesëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik (IS) dhe e kishin “ngritur flamurin” e këtij grupi ekstremist.

Autoritetet thanë se ky sulm i militantëve me armatime automatike dhe eksploziv, kundër një xhamie gjatë Faljes së Xhumasë, ishte sulmi më vdekjeprurës nga ekstremistët islamikë në historinë moderne të Egjiptit.

Ekstremistët islamikë sunitë, përfshirë militantët e Shtetit Islamik (IS), konsiderojnë se pjesëtarët e komunitetit sufi janë të pafe.

Egjipti është duke luftuar kundër kryengritjes së udhëhequr nga një grup i afërt me IS-in në Gadishullin Sinai, e cila është intensifikuar pasi ushtria në vitin 2013 e përmbysi Vëllazërinë Myslimane nga presidenca.

Qindra njerëz janë vrarë në atë që është shndërruar në konflikt të ashpër në Sinai, të cilit nuk i shihet fundi.

Militantët, po ashtu, i kanë zgjeruar aksionet e tyre në pjesët e tjera të Egjiptit, duke kryer sulme vdekjeprurëse në kisha, për ta terrorizuar pakicën e krishterë dhe duke ndërmarrë sulme të ashpra ndaj forcave të sigurisë.

Qeveria e Egjiptit i ka shpallur tri ditë zie për viktimat e sulmit të djeshëm në xhami.

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, pas sulmit e ka mbajtur një mbledhje urgjente të sigurisë dhe ka shprehur përkushtim për “t'u përgjigjur ndaj këtij akti terrorist me forcë të madhe”.

“Ajo që po ndodh në Sinai, është reflektim real i përpjekjeve tona në ballafaqim me terrorizmin, se ne po luftojmë dhe po luftojmë vetë. Egjipti po ballafaqohet me terrorizëm, në emër të rajonit dhe të gjithë botë. Për këtë arsye, e gjithë kjo që po ndodhë është përpjekje për të na ndalur në përpjekjet tona për ta luftuar terrorizmin, për ta humbur vullnetin për luftimin e planeve të tmerrshme kriminale, që kanë për qëllim shkatërrimin e asaj që ka mbetur në rajonin tonë”, tha presidenti al-Sisi, gjatë fjalimit të tij në televizion.

Agjencia Associated Press, duke i cituar tre oficerë të policisë, ka raportuar se sulmuesit, që kishin arritur me katër makina, e kishin aktivizuar eksplozivin e tyre afër xhamisë dhe pastaj kishin depërtuar brenda, duke hapur zjarr kundër besimtarëve.

Kleriku kryesor në këtë xhami, Sheikh Mohamed Abdel Fatah Zowraiq, tha se së paku dhjetëra sulmues ishin brenda xhamisë gjatë sulmit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka dënuar sulmin duke thënë se ai ishte “i tmerrshëm dhe qyqar” dhe presidentit të Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, i ka dërguar ngushëllime.

“Bota nuk mund ta tolerojë terrorizmin ne duhet t’i shkaktojmë disfatë atij ushtarakisht dhe ta diskreditojmë ideologjinë ekstremiste, që i krijon bazat e ekzistencës së tyre”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG