Ndërlidhjet

Engel, i shqetësuar me “taktikat” e administratës Trump në Kosovë


Kongresisti Eliot Engel, fotografi nga arkivi.

Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, tha se është “thellësisht i shqetësuar me taktikat e administratës (së presidentit të SHBA-së, Donald) Trump me Prishtinën” dhe shtoi se “SHBA-ja i ka kontribuar krizës në Kosovë”.

Engel tha se presioni mbi Kosovën, për shkak të taksës 100 për qind që u ka vënë importeve serbe, nuk është i balancuar, dhe se SHBA-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë.

“Departamenti amerikan i Shtetit ka kohë që i bën thirrje Kosovës të heqë taksën ndaj Serbisë. Por, kjo administratë ka vendosur ndëshkime ekonomike vetëm disa javë pas formimit të Qeverisë së (Albin) Kurtit. Në vend se ta linte qeverinë e re të merrej me pandeminë (e koronavirusit), me agjencitë dhe të niste procedura të brendshme, SHBA-ja ka kontribuar në krizën politike në Prishtinë, për shkak të taksës ndaj Serbisë”, thuhet në deklaratën e Eliot Engelit.

Ai shtoi se ka arsye të mira për Kosovën që ta heqë taksën, sepse, sipas tij, ajo i shkakton Kosovës më shumë dëm, sesa që ndikon në arritjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë.

Por, tha Enegel, pa marrë parasysh këtë, taksat janë mjet legjitim i një kombi sovran.

“Si të tilla, presidenti Trump u ka vënë miqve dhe armiqve në gjithë botën, për arsye ekonomike dhe politike”, tha Engel.

Sipas tij, SHBA-ja, në vend se të përdorte taktikat mbizotëruese, është dashur të punojë me Qeverinë tani në detyrë të Kosovës, për të përmirësuar politikat që promovojnë prosperitetin dhe paqen e qëndrueshme.

Sipas tij, kur një demokraci e vogël “detyrohet me dhunë” të bëjë diçka, ajo është “vepër maltretimi dhe jo vepër e partnerit të pjekur”.

Kush e rrëzoi Qeverinë Kurti?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Engel tha se do të vazhdojë të punojë me çdo qeveri që populli i Kosovës zgjedh tani dhe në të ardhmen.

“Presioni ndaj Prishtinës për taksën është padyshim i pabalancuar. Diplomatët serbë udhëtojnë në gjithë botën për t’iu bërë presion shteteve që të tërheqin njohjen e Kosovës, ndërkohë që Serbia i thellon marrëdhëniet me Moskën dhe blen sasi të konsiderueshme të armëve ruse”, tha Engel.

Sipas tij, blerja e tillë e armëve kërkon nga administrata amerikane vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, në bazë të Ligjit për kundërshtimin e rivalëve amerikanë përmes sanksioneve.

“As nuk i kemi vënë sanksionet, as nuk i kemi kërkuar fuqishëm Serbisë që t’i ndalojë përpjekjet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, tha Engel.

“Diçka nuk është në rregull me politikën amerikane dhe ne duhet ta korrigjojmë atë. Duhet të nisim ribalancimin e qasjes sonë ndaj Serbisë dhe Kosovës. Duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë evropianë, në mënyrë që të dyja vendet t’i trajtojmë si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke zbatuar standarde të njëjta për të dyja palët, derisa përpiqemi t’i rinisim negociatat e paqes”, tha Engel.

"Kur ligji amerikan thotë se ne duhet ta sanksionojmë Serbinë për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë, ne duhet ta bëjmë atë", shtoi ai.

Engel kujtoi se SHBA-ja ka bërë fushatë për t'i dhënë fund "spastrimit etnik gjenocidial të Milosheviqit" dhe se është aleatja më e fuqishme e një Kosove të pavarur dhe sovrane.

Ai theksoi se ka qenë një partner krenar i të gjitha qeverive të Kosovës dhe se nuk merr anë në atë se kush duhet ta udhëheqë Kosovën.

“Ky është vendim i popullit të Kosovës. Unë gjithmonë do të bashkëpunoj me këdo që (populli) zgjedh", theksoi Engel.

Administrata amerikane ka këmbëngulur në heqjen e plotë të taksës 100%, në mënyrë që të vijë deri te vazhdimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë, në mënyrë të veçantë ka insistuar i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

Më 20 mars, kryeministri - tani në detyrë - i Kosovës, Albin Kurti, e ka hequr taksën ndaj lëndës së parë dhe ka paralajmëruar se, nga 1 prilli, taksa do të zëvendësohej me masa reciprociteti, të cilat Grenell i ka kundërshtuar.

Në ndërkohë, Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kurtit.

Kurti ka thënë se prapavijë e rrëzimit të qeverisë së tij është një “marrëveshje e fshehtë” e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për shkëmbimin e territoreve.

Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga zyrtarët e lartë amerikanë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG