Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi po e zbrazin arkën e këtij shteti.
Deri më tani, ato u kanë kushtuar qytetarëve së paku 16.5 milionë euro, tregon një analizë e Radios Evropa e Lirë.
Qeveria e Serbisë e siguroi këtë shumë duke marrë para nga rezerva buxhetore e shtetit gjatë muajit shtator.
Shtatë vendime për financimin e zgjedhjeve u morën pasi u bë e ditur se qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit më 25 tetor.
Edhe pse Kuvendi është përgjegjës për miratimin e buxhetit vjetor, Qeveria ka të drejtë të tërheqë mjete nga rezerva buxhetore.
Në parim, kjo rezervë duhet të përdoret për shpenzime urgjente, përkatësisht të paplanifikuara.
Megjithatë, 16.5 milionë eurot e ndara nga rezerva nuk përbëjnë koston përfundimtare të zgjedhjeve.
Qeveria dhe Ministria e Financave nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë se sa saktësisht do t’u kushtojë qytetarëve dalja në zgjedhje.
Sipas dokumenteve të analizuara nga REL-i, shuma të ndryshme për organizimin e zgjedhjeve iu ndanë deri më tani Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), Gjykatës Administrative, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Entit të Statistikave.
Të gjitha këto institucione kanë rol në procesin zgjedhor - nga mbikëqyrja e fushatës, te shtypja e fletëvotimeve dhe publikimi i rezultateve.
Sipas Nemanja Nenadiqit nga organizata joqeveritare Transparenca Serbia, një nga shpenzimet më të mëdha janë pagesat për anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe të këshillave të vendvotimeve.
“Se sa do të jenë këto shpenzime do të varet se në çfarë mase listat zgjedhore do ta shfrytëzojnë të drejtën për të emëruar anëtarë të këshillave në secilin vendvotim”, thotë Nenadiq.
Kostove të zgjedhjeve duhet t’u shtohen edhe paratë që ndahen nga buxheti për financimin e fushatës - mjete që, sipas ligjit, u takojnë pjesëmarrësve në garën zgjedhore.
Për fushatën e këtyre zgjedhjeve, nga buxheti i shtetit mund të shpenzohen rreth 12.5 milionë euro.
“Kur bëhet fjalë për financimin e fushatës, këto janë ndarjet më të mëdha buxhetore deri më tani”, thotë Nenadiq.
E, këtu ka edhe shpenzime “të fshehura”, si keqpërdorimi i burimeve publike dhe i funksioneve shtetërore gjatë fushatës, për të cilat kanë paralajmëruar vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zgjedhjeve.
Megjithatë, nuk ka të dhëna të sakta se sa u kushtojnë këto qytetarëve.
“Vlerësimet janë se këto shpenzime buxhetore janë, në fakt, shumë më të larta sesa ato që evidentohen drejtpërdrejt si kosto të zgjedhjeve”, thotë Nenadiq.
Por, as këtu nuk përfundon fatura.
Deri në fund të vitit, Serbia pritet të mbajë edhe zgjedhje të parakohshme presidenciale, pas dorëheqjes së Aleksandar Vuçiqit.
“Praktikisht, këtë vit do të kemi shpenzime të dyfishta nga buxheti për zgjedhjet”, shton Nenadiq.
Kush ka marrë deri më tani para për zgjedhjet?
Gjashtë ditë para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare, më 3 shtator, Qeveria e Serbisë ndau nga rezerva buxhetore më shumë se shtatë milionë euro.
Sipas vendimit, paratë u ndanë për Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, për “blerjen e materialeve për nevoja të veçanta”.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve nisi furnizimin me pajisje për zgjedhjet qysh në verë, kur në publik ende vetëm spekulohej për datën e votimit.
Në mesin e pajisjeve të porositura ishin kutitë e votimit, kabinat e votimit, llambat UV, sprej për shënimin e gishtërinjve të votuesve dhe thasët për fletëvotime.
Gjatë tre muajve të fundit janë lidhur tetë kontrata për blerjen e këtyre pajisjeve, me vlerë rreth 8.8 milionë euro, konstatoi REL-i nga shqyrtimi i të dhënave të prokurimit publik.
Shpenzimi më i madh ishte blerja e 30.000 kabinave të votimit me perde, të cilat do të përdoren për herë të parë në vendvotime dhe kushtojnë rreth shtatë milionë euro.
Sipas autoriteteve, ato synojnë të garantojnë fshehtësinë e votës dhe të përmbushin një nga rekomandimet e misionit ndërkombëtar të ODIHR-it për përmirësimin e kushteve zgjedhore.
Zgjedhjet u shpallën zyrtarisht më 9 shtator.
Kuvendi i Serbisë u shpërnda, ndërsa Qeveria kaloi në mandat teknik.
Por, Qeveria vazhdoi të ndajë para nga rezerva buxhetore.
Më 11 shtator, Kuvendit të Serbisë, përkatësisht shërbimeve të tij profesionale, iu ndanë rreth 8.5 milionë euro për “mjete të paplanifikuara për zbatimin e zgjedhjeve”.
Më pas, më 17 shtator, u morën edhe tri vendime për ndarjen e parave nga rezerva buxhetore.
Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale mori rreth 75.000 euro për shtypjen e ekstrakteve nga lista e votuesve.
Gjykatës Administrative, e cila sipas ligjit është përgjegjëse për shqyrtimin e kontesteve zgjedhore, iu ndanë rreth 425.000 euro.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit mori rreth 188.000 euro për mbikëqyrjen e shpenzimeve të fushatës zgjedhore.
Më 24 shtator, rreth 200.000 euro iu ndanë edhe Entit Republikan të Statistikave për përpunimin e rezultateve të zgjedhjeve.
Ndërkaq, në njërin prej vendimeve nuk është bërë e ditur shuma e plotë. Ministrisë së Financave i janë ndarë “1.000 dinarë” - rreth 10 euro - për subvencione për zgjedhjet.
Por, kjo nuk do të thotë se kjo ministri do të ketë në dispozicion vetëm rreth 10 euro.
Bëhet fjalë për një shumë të ashtuquajtur “teknike”, e cila mundëson hapjen e kësaj kategorie në buxhet, ndërsa shuma përfundimtare përcaktohet më vonë.
Ministria e Financave është përgjegjëse për t’ua ndarë nga buxheti pjesëmarrësve në zgjedhje paratë për financimin e fushatës, të cilat u takojnë sipas ligjit.
Deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se sa para janë ndarë tashmë dhe kujt i janë transferuar ato.
Sa para do të marrin partitë?
Ligji përcakton se sa para nga buxheti u takojnë pjesëmarrësve në zgjedhje për financimin e fushatës.
Për këtë qëllim ndahen 0.07 për qind e të hyrave buxhetore. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kjo shumë arrin në rreth 12.5 milionë euro.
Ligji përcakton edhe mënyrën se si shpërndahen këto para.
Pak më shumë se pesë milionë euro, ose 40 për qind e shumës së përgjithshme, ndahen në mënyrë të barabartë mes të gjitha listave të certifikuara zgjedhore.
Për t’i marrë këto para para zgjedhjeve, listat duhet t’i kërkojnë zyrtarisht dhe t’i plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.
“Pjesa e mbetur prej 60% ndahet pas zgjedhjeve, pasi të shpallen rezultatet. Çdo listë që hyn në Kuvendin e ri, përfiton pak më shumë se 3.5 milionë dinarë, ose rreth 30.000 euro, për secilën ulëse të fituar në Kuvend”, thotë Nenadiq.
Megjithatë, ekzistojnë edhe rregulla që përcaktojnë se kur duhet të kthehen paratë në buxhet.
Paratë duhet t’i kthejnë të gjithë kandidatët që nuk arrijnë të fitojnë të paktën 1 për qind të votave të vlefshme, përkatësisht 0.2 për qind në rastin e listave të pakicave.
Po ashtu, në buxhetin e shtetit duhet të kthehen të gjitha paratë e marra nga buxheti që nuk janë shpenzuar gjatë fushatës.