Ndërlidhjet

Hapet platforma për subvencionimin e teksteve shkollore


Tekste shkollore për klasë të ndryshme të arsimit fillor, të ekspozuara në një librari në Prishtinë. 23 gusht 2023.
Tekste shkollore për klasë të ndryshme të arsimit fillor, të ekspozuara në një librari në Prishtinë. 23 gusht 2023.

Në platformën online të Qeverisë së Kosovës, E-Kosova, është hapur më 25 gusht linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), Arbërie Nagavci, njoftoi se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro.

Për t’i siguruar këto para për blerjen e teksteve shkollore, prindërit do të duhet të aplikojnë përmes platformës E-Kosova në këtë link.

Por, edhe pse platforma është hapur, disa prindër janë ankuar se kanë hasur në probleme pasi që thonë se linku nuk është duke funksionuar.

Duke iu drejtuar prindërve të nxënësve fillorë, përmes një videoje në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci tha se "mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.”

Në të kaluarën, MASHTI i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.

Por, Nagavci njoftoi në fillim të kësaj jave se ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Për rrjedhojë, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.

Ky vendim i ministres Nagavci është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka kërkuar dorëheqjen e saj, si dhe nga vetë Këshilli i Prindërve i Kosovës.

Edhe ju mund ta jepni mendimin tuaj për këtë vendim të MASHTI-t në anketën e mëposhtme të REL-it:

XS
SM
MD
LG