Në fillim të vitit 2022, një serial vizatimor i quajtur Bunny Brothers u transmetua në një kanal televiziv shtetëror rus, programi i të cilit u kushtohet fëmijëve të vegjël.
Studioja e Moskës që qëndron pas këtij seriali ishte Safir Animation, prodhuesi i përgjithshëm, regjisori dhe pronari i vetëm i së cilës është Arash Doroudi, një shtetas iranian 57-vjeçar që flet rrjedhshëm rusisht.
Doroudi është i lidhur me një tjetër studio me një emër të ngjashëm që prodhon një lloj krejtësisht tjetër përmbajtjeje: video për zhvillimet ushtarake iraniane për Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
“Për të tërhequr shikuesit rusë sot, të nevojitet aksion”, i tha Doroudi në një podkast rus kur u pyet për strategjinë e tij të biznesit.
Filmat e animuar për fëmijë dhe videot për ushtrinë iraniane nuk janë të vetmet me të cilat merret sipërmarrja ku është përfshirë Doroudi, sipas gjetjeve të njësisë hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë - Systema.
Ai është akuzuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë për përpjekje për të eksportuar xhiroskopë ushtarakë. Sipas një memorandumi të rrjedhur të agjencisë së sigurisë, Doroudi është identifikuar gjithashtu si këshilltar i një entiteti të lidhur me administratën presidenciale të Iranit.
Rrethi i bizneseve dhe aktivitetet e errëta të Doroudit ndajnë të njëjtat karakteristika me Sohrab dhe Ushang Ghairat, dy vëllezër afganë, babai i të cilëve ishte diplomat në Ambasadën e Afganistanit në Moskë.
Sohrab mori drejtimin e studios së mëparshme filmike të Doroudit, e cila më vonë publikoi një film të animuar të metrazhit të gjatë që pati sukses modest në Rusi.
Vëllezërit afganë janë lidhur me aktivitete të tjera larg botës së filmit, përfshirë ndihmën për rebelët huthi të mbështetur nga Irani në Jemen për të siguruar armë ruse. Huthët janë shpallur nga Shtetet e Bashkuara si organizatë terroriste.
Doroudi nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga REL-i në llogarinë e tij në Telegram apo mesazheve të dërguara në llogaritë e studios së tij ose kompanive të tjera.
Sohrab Ghairat nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it. Ushang gjithashtu refuzoi të përgjigjej, duke thënë vetëm: “Punoj si përkthyes në Rusi”.
Nga Moska në Sana
Dolphin Boy, një tregim i lehtë i animuar për një djalë të rritur nga delfinët, arkëtoi pothuajse 95 milionë rubla (1.17 milion dollarë) kur u shfaq në kinematë ruse në pranverën e vitit 2022. I prodhuar nga një studio e quajtur Sky Frame, e drejtuar nga Sohrab Ghairat, kolona zanore e filmit mori shtytje nga një këngëtar pop, kënga tërheqëse e të cilit ndihmoi në rritjen e popullaritetit.
Filmi u shfaq gjithashtu në platforma joruse: Netflix, Apple TV dhe Amazon Prime transmetuan Dolphin Boy. Lionsgate, një studio e madhe me bazë në Kaliforni, ka fituar të drejtat e licencimit në gjuhën angleze.
Më 4 prill 2025, në një shfaqje të filmit të organizuar nga një organizatë bamirëse në Moskë, Sohrab ishte i pranishëm. Në një postim në Facebook, 39-vjeçari bëri një koment ironik në persisht për disa nga fotografitë e tij që u publikuan.
“Agjencitë e lajmeve që kalojnë ditë e natë me fantazi të pabazuara, ju lutem përdorni fotografinë time të mirë në lajmet tuaja qesharake për mua”, shkroi ai.
Nuk ishte plotësisht e qartë se kujt po i referohej ai. Por, dy ditë më parë, Sohrab dhe Sky Frame Studio, së bashku me Ushang Ghairat, u shfaqën për herë të parë në një listë sanksionesh të publikuar nga Departamenti i Thesarit i SHBA.
Departamenti i akuzoi Sohrabun dhe kompaninë e tij se ndihmojnë forcat huthi në Jemen për të siguruar armë ruse. Ata u akuzuan gjithashtu për organizimin e dërgesave të grurit ukrainas të vjedhur drejt Jemenit dhe vendeve të tjera.
Bij të ish-sekretarit të parë të Ambasadës së Afganistanit në Moskë, si Sohrab ashtu edhe vëllai i tij Ushang janë rusishtfolës dhe të diplomuar në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO).
Sohrab mori drejtimin e Sky Frame më 11 mars 2021, një ditë pasi Doroudi u largua për të themeluar Safir Animation.
Në njoftimin për sanksionet, Sohrab dhe Ushang u akuzuan për organizimin e dërgesave të armëve dhe naftës me kërkesë të një zyrtari të lartë huthi që jeton në Iran, Saeed al-Jamal.
Al-Jamal dyshohet se drejton një rrjet kompanish dhe anijesh që kontrabandojnë karburant dhe produkte nafte iraniane drejt klientëve në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.
Sipas autoriteteve amerikane, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga këto shitje kanalizohet përmes një rrjeti ndërmjetësish dhe zyrash këmbimi drejt huthëve në Jemen, si dhe drejt Forcës Kuds të Gardës Revolucionare Islamike dhe Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA.
Ekziston edhe një lidhje tjetër mes vëllezërve Ghairat dhe kontrabandës së pretenduar të naftës apo armëve për rebelët huthi: rreth një dekadë më parë, ata ishin të përfshirë në një sipërmarrje tjetër afatshkurtër, një kompani IT e prezantuar si “rrjeti i parë social i pavarur afgan”.
Kjo sipërmarrje, që zgjati vetëm një vit, përfshinte edhe një person tjetër, Kamaluddin Nabizadu, i cili më parë ishte diplomati numër dy në Ambasadën afgane në Moskë.
Vetë Nabizadu përfundoi në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit në vitin 2022, tri vjet para vëllezërve Ghairat.
Departamenti e akuzoi atë për organizimin në fshehtësi të dërgesave të naftës iraniane drejt Rusisë dhe për kthimin e miliona dollarëve drejt Iranit. Këto përpjekje u bënë, sipas autoriteteve amerikane, “në koordinim me nivelet e larta të qeverisë ruse dhe shërbimeve të inteligjencës”.
Drithërat e Ukrainës
Para 13 marsit, nëse klikonit në faqen kryesore të Sky Frame, do të gjenit disa lidhje: informacione kontakti, promovime të projekteve të tjera të studios. Do të gjenit gjithashtu një lidhje me një kompani të veçantë të quajtur Triticum Group Commodities.
Në faqen e saj në LinkedIn, Triticum e përshkruan veten si “një kompani ndërkombëtare tregtare e specializuar në importin e drithërave në Lindjen e Mesme”. Profili listonte gjithashtu vetëm një punonjëse: Adelina Usta, një grua me origjinë ukrainase që jeton në Moskë.
Systema kontaktoi Ustën për koment më 13 mars. Ajo refuzoi të përgjigjej, pastaj hoqi profilin e Triticum nga LinkedIn dhe fshiu llogarinë e saj në Telegram. Po atë ditë, faqja e Triticum doli jashtë funksionit, ashtu si edhe faqet ruse dhe angleze të Sky Frame Studios.
Ato u rikthyen të nesërmen.
Sipas regjistrave të kompanive, adresa e zyrës së Triticum ndodhet në Neva Towers, në kompleksin e rrokaqiejve Moskva-Citi.
Një kompani tjetër është e regjistruar në të njëjtën adresë: Kolibri Group, shef i së cilës është Sohrab Ghairat. Ushang figuron si pronar. Një nga aktivitetet kryesore të kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, është blerja dhe shitja e drithërave.
Përveç sigurimit të armëve, Departamenti amerikan i Thesarit i akuzoi gjithashtu vëllezërit Ghairat për organizimin e të paktën dy dërgesave të drithërave të vjedhura ukrainase drejt Jemenit në verë dhe vjeshtë të vitit 2024.
Bunny Brothers
Përveç periudhës së tyre të përbashkët në Sky Frame, shtrirja e marrëdhënies mes Sohrab Ghairat dhe Doroudit nuk është e qartë. Por, Doroudi ka qenë në Rusi për vite me radhë, i përfshirë në sipërmarrje të ndryshme biznesi.
I lindur në Mashhad, Iran, Doroudi mori shtetësinë ruse në vitin 2014, sipas të dhënave të rrjedhura, dhe adresa e tij e regjistruar e banimit figuron në Krasnogorsk, në rajonin e Moskës, që nga viti 2020.
Doroudi themeloi Safir Animation në prill 2021, një muaj pasi u largua nga Sky Frame, studioja pas Dolphin Boy.
Të dhënat e kompanisë tregojnë se kompania e tij Safir LLC është e lidhur me Safir Animation dhe sipërmarrje të tjera. Safir LLC, që e përshkruan veten si “një urë e besueshme midis Rusisë dhe Lindjes së Mesme”, thotë se ofron shërbime që përfshijnë transportin e pajisjeve mjekësore, njësive të turbinave me gaz dhe teknologjive të telekomunikacionit.
Bunny Brothers - seriali i animuar me 26 episode për fëmijë që u shfaq në rrjetin shtetëror televiziv Karusel - nuk pati sukses për Safir Animation; shikuesit thanë se u pëlqenin pamjet vizuale, por e kritikuan serialin si të zbrazët dhe pa përmbajtje.
Në janar 2025, një organizatë hakerësh që e quan veten ARES Group publikoi një seri dokumentesh në kanalin e saj në Telegram. Autori i pretenduar i dokumenteve ishte Shërbimi Federal i Sigurisë, agjencia kryesore e inteligjencës së brendshme të Rusisë, e njohur si FSB.
Sipas dokumenteve, Doroudi u identifikua si këshilltar i Qendrës për Progres dhe Zhvillim, një entitet i lidhur me administratën presidenciale të Iranit.