Ndërlidhjet

‘Flluska’ e personave LGBTI+ në zemër të Prishtinës


Pamje nga bari "Bubble" .
Pamje nga bari "Bubble" .

Në qendër të Prishtinës, pranë bareve tjera që për vendasit njihen si “Kafet e rakisë”, gjendet “Bubble”, që në shqip do të thotë “flluskë”.

Është vendi ku persona LGBTI+ ndihen të sigurt e ku nuk paragjykohen. Hapja e barit për komunitetin LGBTI+ ishte ëndërr e Lend Mustafës, 26-vjeçarit i cili është personi i parë transgjinor në Kosovë që ka ndarë publikisht identitetin e tij gjinor dhe procesin e ndërrimit të gjinisë.

Të rinj që po shijonin diellin në ditë tetori, ulur në verandën e rrethuar me gjelbërim i japin gjallëri këtij vendi. Gjashtë muaj më parë, Lendi nuk mund ta imagjinonte si të tillë, por tani thotë se jo vetëm që është përmbushur qëllimi i tij, por i ka tejkaluar të gjitha pritjet që kishte.

“Përveç guximit të personave që kanë punuar në këtë projekt, është edhe guximi i atyre që e frekuentojnë hapësirën tonë dhe ajo ka qenë frika më e madhe. Tash na është dëshmuar se sa i guximshëm është komuniteti”, thotë Lendi teksa shijon një birrë në “Flluskën” e krijuar nga ai.

‘Flluska’ e LGBTI+ në zemër të Prishtinës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:21:33 0:00

Për shumë persona LGBTI+, shoqëria kosovare është konservatore dhe për pasojë ata nuk mund të deklarohen hapur për orientimin e tyre seksual. Por “Bubble”, po shihet edhe si një hap drejt daljes nga flluska.

“Para pesë viteve e kam menduar se çfarë mund të bëjmë më shumë për komunitetin që ne të jemi pjesë e shoqërisë dhe ta kemi hapësirën tonë ku ndihemi të sigurt, e të mos shkojmë në vende ku tërë kohën marrim të shara ose edhe na refuzohet shërbimi”, thotë Lend Mustafa.

Lendi thotë se nga stresi, nuk mund ta kujtojë natën e hapjes së barit, por thotë se nga të tjerët përshkruhet si “një prej netëve më çliruese për ta”.

Hapësira e brendshme në barin "Bubble", në Prishtinë.
Hapësira e brendshme në barin "Bubble", në Prishtinë.

Një ndër rastet pozitive që ai kujton është vizita e një familjari të një transgjinori për t’u informuar në mënyrë që ta përkrahë vëllain e saj.

“Ka pasur raste kur njerëz të komunitetit kanë filluar të rrinë në Bubble dhe kanë publikuar fotografi nga aty. Kur familjarët e kanë kuptuar, kjo ka bërë që ata të marrin guximin dhe të tregojnë që i përkasin komunitetit. Kjo është shumë inkurajuese për ne”, thotë Lendi.

“Shumë njerëz e quajnë 'Bubble' si shtëpi të dytë dhe jo si një vend vetëm për kafe, por një vend që ofron edhe hapësira për të qenë produktiv”, shton ai.

Hapësira është në dispozicion të komunitetit LGBTI+ për aktivitete të ndryshme. Ndërsa, shpesh grumbullohen fonde, të cilat u ndahen personave transgjinorë për nevojat e tyre mjekësore për ndërrimin e fizikut.

Aktiviteti më i përfolur në Bubble është “drag show” nga “drag queens” apo artistë performues, kryesisht meshkuj, por jo vetëm të tillë, që vishen me rroba grash dhe shpesh performojnë dhe sillen me feminitet të ekzagjeruar.

“Deri më tash i kemi mbuluar këto shpenzime për gjashtë persona, e ‘Bubble’ është hapur vetëm para gjashtë muajsh, kështu që për ne kjo është një arritje shumë e madhe”, thotë Lendi.

*Video nga arkivi se si jeton një transgjinor në Kosovë

Të jetosh si transgjinor në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Satira, mjet për të ndryshuar narrativën

Gazetari Vullnet Krasniqi ka realizuar dy stand-up komedi në “Bubble”, projekt i cili është duke vazhduar dhe përmes të cilit ai sjell në mënyrë satirike situata nga jeta e tij e përditshme në punë dhe jashtë saj, që shpesh kryefjalë kanë seksualitetin e tij.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Krasniqi thekson se ndër arsyet pse ai ka vendosur të ndajë momente nga jeta e tij përmes satirës, është fakti se, siç thotë, “zakonisht kur flitet për eksperiencat e personave LGBTI+, flitet si përgjithësim plot me stigma dhe paragjykime”.

“Kam dashur të filloj t’ua ndryshoj narrativën njerëzve [jashtë komunitetit] ose mënyrën se si na perceptojnë”, thotë ai.

“Sa më seriozisht që e trajton dramaticitetin dhe tragjedinë tënde, njerëzit do të irritohen më shumë, sepse ata i kanë hallet e veta”, shton ai.

Aktualisht, në “Bubble” janë të punësuar katër punëtorë të rregullt që, po ashtu, i përkasin komunitetit LGBTI+.
Aktualisht, në “Bubble” janë të punësuar katër punëtorë të rregullt që, po ashtu, i përkasin komunitetit LGBTI+.

Ai tregon se herën e dytë në audiencë kishte më shumë njerëz jashtë komunitetit, “pasi atyre u duket shumë interesant fakti që unë e festoj jetën time në stand-up dhe në asnjë moment unë nuk jam viktimë”.

“Kam dashur ta gjej një vijë në mes që seksualiteti im të mos jetë shumë i rëndësishëm, por as të mos jetë diku në qoshe”, shton ai.

Për faktin se ky bar është në një vend të dukshëm, “flluska”, sipas Vullnet Krasniqit, tashmë është shpërthyer.

“Më e rëndësishmja është vendi se ku ka vendosur [Lend Mustafa] ta hapë [barin]. Të jetë shumë afër jetës së natës, të mos jetë i veçuar”.

Aktualisht, në “Bubble” janë të punësuar katër punëtorë të rregullt që, po ashtu, i përkasin komunitetit LGBTI+.

Njëri nga ta në bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se “Bubble” tashmë është kthyer në shtëpi të dytë për të.

Duke krahasuar “Bubble” me dy vende tjera ku paraprakisht kishte punuar punën e njëjtë, ai thekson se më në fund nuk ndihet i paragjykuar për atë se si duket dhe si e identifikon veten e tij.

“Është ndryshe kur punon me një rreth tjetër dhe kur punon me dikë që ndihet njëjtë si ti. Është shumë mirë”, thotë ai duke mos dashur t’i publikohet emri.

Jo e gjithë familja e tij janë në dijeni për vendin e tij të punës:

“Kjo më bën të ndihem keq, sepse e di që jam duke i gënjyer”.

Ai shton se puna në një ambient të tillë e ka shtyrë ta mendojë të flasë hapur me familjarët e tij lidhur me orientimin e tij seksual.

“Prej kur kam filluar të punoj në ‘Bubble’ më shkon në mendje t’iu tregoj. Pak a shumë e dinë, por kurrë nuk jam ulur t’iu tregoj që unë jam pjesë e komunitetit. Besoj që do ta kishin mirëpritur”, thotë ai.

Në Prishtinë çdo vit mbahet Parada e Krenarisë, që kalon pa incidente. Megjithatë, më 17 mars në rend dite në Kuvendin e Kosovës ka qenë shqyrtimi i Projektkodit Civil, i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm për rregullimin e bashkimit civil midis personave të gjinisë së njëjtë.

Por, mundësimi eventual i kësaj ka nxitur debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës dhe disa deputetë e kanë kundërshtuar iniciativën.

Edhe pse është paralajmëruar se Projektkodi Civil do të ridërgohet në Kuvend, diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.

XS
SM
MD
LG