Ndërlidhjet

Freedom House: Pushteti në Serbi shtypi protestat e organizuara përmes mjeteve digjitale

Protesta e thirrur nga studentët në Novi Sad në njëvjetorin e aksidentit vdejeprurës ku humbën jetën 16 persona. Novi Sad, tetor 2025.
Protesta e thirrur nga studentët në Novi Sad në njëvjetorin e aksidentit vdejeprurës ku humbën jetën 16 persona. Novi Sad, tetor 2025.

Përpjekjet e qeverive autoritare për t’ua kufizuar qytetarëve qasjen në internet, keqpërdorimi i ligjeve për përdorimin e tij dhe përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale kanë krijuar pengesa të reja për lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion.

Ky është përfundimi i raportit të ri të organizatës Freedom House, i cili konstaton se liria në internet në mbarë botën ka shënuar rënie për të gjashtëmbëdhjetin vit me radhë.

Në këtë kontekst përmendet edhe Serbia. Raporti rikujton protestat kundër Qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës prej betoni në një stacion hekurudhor më 2024, kur humbën jetën 16 njerëz.

“Pushteti i shtypi ashpër protestat, shumë prej të cilave u organizuan me ndihmën e mjeteve digjitale”, thuhet në raport.

“Regjimet autoritare po e shndërrojnë internetin në një sistem kontrolli, duke vendosur se kush mund të lidhet, çfarë mund të shohë dhe nëse zëri i tij mund të dëgjohet”, tha Kian Vesteinsson, autor i raportit dhe zëvendësdrejtor për hulumtime në Freedom House.

“Diktatorët po investojnë për t’i mbajtur njerëzit jashtë rrjetit. Ne duhet të investojmë që censura të dështojë”, theksoi ai.

Drejtori ekzekutiv i Freedom House, Jamie Fly, vuri në pah se “aktorët autoritarë tashmë po e përdorin inteligjencën artificiale si armë”.

“Duhet të sigurohemi që aktivistët në vijën e parë dhe avokuesit për të drejtat e njeriut të kenë qasje në teknologjitë më të avancuara, në mënyrë që t’u kundërvihen këtyre kërcënimeve dhe ta përshpejtojnë përhapjen e lirisë në shoqëritë represive”, shtoi ai.

Freedom House konstaton në raport se, gjatë vitit të kaluar, njerëzit në mbarë botën përdorën mjete digjitale për t’u mobilizuar dhe për të organizuar protesta kundër qeverive.

Në raport nuk përmenden vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e cila e ruajti statusin e vendit “pjesërisht të lirë” sa i përket lirisë në internet.

Serbia është në këtë kategori që nga viti 2024. Në atë kohë vlerësohej si vend “i lirë”.

Më pak liri në pothuajse gjysmën e vendeve të analizuara

Gjendja e lirive në hapësirën digjitale u përkeqësua në 16 nga 38 vendet e analizuara në raport.

Irani shënoi rënien më të madhe, duke iu bashkuar Kinës dhe Mianmarit si vendet me kushtet më të këqija për lirinë në internet.

Rënie të ndjeshme shënuan edhe Jordania dhe Nigeria, ndërsa Gjeorgjia kaloi nga kategoria e vendeve “të lira” në atë të vendeve “pjesërisht të lira”.

Freedom House e shpjegon këtë me faktin se autoritetet vazhduan ta shtypnin aktivizmin në internet dhe shprehjen e qëndrimeve që i konsideronin kritike ndaj partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

Përmirësim u shënua në tetë vende.

Bangladeshi, për të dytin vit radhazi, shënoi përparimin më të madh, pasi ndërmori reforma pas rrëzimit nga pushteti të Sheikh Hasinës, sundimi dhjetëvjeçar i së cilës u karakterizua nga censura dhe mbikëqyrja e përhapur.

Gambia vazhdoi të shënonte përparim gradual në fushën e lirisë në internet, pasi udhëheqësi represiv Yahya Jammeh u largua nga pushteti pothuajse një dekadë më parë.

Ndërkaq, vetëm nëntë vende konsiderohen të lira.

Gjatë periudhës së analizuar, Estonia ishte vendi me mjedisin më të lirë në internet.

Irani: “Censurë ekstreme në internet”

Raporti thekson se autoritetet iraniane në janar “shtypën brutalisht lëvizjen protestuese kundër Qeverisë” në Iran, e cila u organizua pjesërisht edhe përmes rrjeteve sociale.

Në të rikujtohet se, në përgjigje të protestave, autoritetet iraniane “vranë mijëra njerëz”.

“Rreth 50.000 njerëz u burgosën, përfshirë edhe ata që në rrjetet sociale vetëm i kritikuan autoritetet ose shprehën mbështetje për protestuesit”, thuhet në raport.

Aty theksohet se, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në shkurt, autoritetet në Iran vendosën “censurë ekstreme në internet”.

“Autoritetet iraniane e ndërprenë internetin në të gjithë territorin e vendit për rreth 88 ditë, ndërprerja më e gjatë e këtij lloji e regjistruar në historinë e këtyre raporteve të Freedom House”.

Në raport thuhet po ashtu se qasja në internet u “riorganizua” në atë mënyrë që vetëm “një pakicë e privilegjuar mund të kishte qasje në platformat globale”.

“Ky sistem u mundësoi autoriteteve iraniane ta ruanin kontrollin e rreptë mbi informacionin në internet gjatë një sërë krizash të njëpasnjëshme, duke u përmbushur njëkohësisht kërkesat elitave në vend, të cilat vazhdojnë t’i gëzojnë përfitimet e qasjes në internetin global”, thuhet në raportin e Freedom House.

“Rusia i përshpejtoi përpjekjet për t’i shkëputur lidhjet me internetin global”

Gjatë vitit të kaluar, Rusia i përshpejtoi përpjekjet për t’i shkëputur lidhjet me internetin global, duke zhvilluar modele represive për ta izoluar popullsinë e saj në epokën digjitale, thuhet në raport.

Në të theksohet se autoritetet ruse i zgjeruan ndërprerjet e internetit dhe kufizimet për përdorimin e rrjeteve virtuale private (VPN), ndërkohë që synonin ta ruanin qasjen në shërbimet e miratuara nga shteti.

Në shtator të vitit 2025, autoritetet krijuan një “regjistër të shërbimeve me rëndësi shoqërore”, në të cilat ofruesit e internetit duhej të siguronin qasje gjatë ndërprerjeve të lidhjes.

Në listë u përfshinë mediat shtetërore, platformat e afërta me pushtetin dhe aplikacioni shtetëror për shkëmbimin e mesazheve, Max.

Në nëntor, Qeveria miratoi rregulla të reja, të cilat i përkufizuan “ndikimet e jashtme mbi informacionin” si kërcënim për internetin rus.

Këto rregulla i dhanë rregullatorit të komunikimeve, Roskomnadzor, kompetenca për të zbatuar masa të ndryshme censurimi në përgjigje të kërcënimeve të tilla.

Në shkurt, Qeveria miratoi një ligj që i mundëson Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) ta ndërpresë lidhjen me internetin në bazë të një dekreti presidencial, duke i dhënë praktikisht Vladimir Putinit kompetencën për ta ndërprerë internetin për çfarëdo arsyeje.

“Në maj të vitit 2026, në prag të shënimit të Ditës së Fitores, autoritetet vendosën ndërprerje të gjera dhe afatshkurtra të internetit mobil në të gjithë vendin. Përdoruesit raportuan se gjatë këtyre kufizimeve nuk mund të hynin as në faqet e internetit të përfshira në listën e ‘shërbimeve me rëndësi shoqërore’”, thuhet në raport.

Ligjet për verifikimin e moshës

Në nivel global, Freedom House konstaton se ligjet për verifikimin e moshës kanë krijuar pengesa të reja për qasjen në internet dhe rreziqe për privatësinë dhe sigurinë.

Deri në qershor të vitit 2026, vendimmarrësit në dhjetë nga 38 vendet e analizuara kishin propozuar, miratuar ose kishin nisur zbatimin e ligjeve për verifikimin e moshës për përdorimin e rrjeteve sociale ose qasjen në përmbajtje të tjera jopornografike në internet, thuhet në raport.

Australia dhe Indonezia e ndaluan përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën moshën 16-vjeçare, ndërsa në Turqi, sipas kuadrit të propozuar, llogaritë në rrjetet sociale do të duhej të lidheshin me emrat e vërtetë të përdoruesve përmes sistemit shtetëror të identitetit digjital.

Raporti thekson se udhëheqësit represivë në mbarë botën tashmë po përpiqen t’i shfrytëzojnë “të ashtuquajturat detyrime për verifikimin e moshës për qëllimet e tyre, si vendosja e mbikëqyrjes ndërhyrëse në internet”.

Përfundimi është se duhet të investohet më shumë në hulumtime për të zhvilluar metoda të përcaktimit të moshës që e mbrojnë vërtet privatësinë dhe i zvogëlojnë rreziqet për sigurinë kibernetike.

Sipas Freedom House, vendimmarrësit duhet të ndajnë edhe fonde shtesë për luftimin e abuzimit me fëmijët në internet.

Keqpërdorimi i ligjeve për inteligjencën artificiale

Masat që synonin përmbajtjet e prodhuara nga inteligjenca artificiale trajtuan dukuri realisht të dëmshme, thuhet në raport.

Megjithatë, theksohet se ato njëkohësisht shkaktuan shqetësime për censurë dhe tejkalim të mundshëm të kompetencave.

“Qeveritë vendosën rregulla për paraqitjen me identitet të rremë, ngacmimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, por autoritetet i keqpërdorën disa prej këtyre ligjeve për ta kufizuar lirinë e shprehjes në internet”, thuhet në raportin e Freedom House.

Raporti vë në pah se liria në internet duhet të jetë parimi udhëheqës në epokën e inteligjencës artificiale.

“Përhapja e shpejtë e përdorimit të inteligjencës artificiale me agjentë, përkatësisht mjeteve që kryejnë detyra në mënyrë të pavarur, tashmë po e ndryshon internetin”.

“Shoqëritë në mbarë botën do të përballen me çështjen se si ta përshtatin funksionimin e internetit me këto ndryshime. Në këto përpjekje duhet të ruhen shkëmbimi i hapur i informacionit dhe liria e shprehjes si vlera themelore”, përfundon Freedom House.

Kundër ndërprerjeve të internetit dhe censurës

Gjetjet e Freedom House tregojnë nevojën për investime si në qasjen në internet, ashtu edhe në mbrojtjen e përdoruesve.

“Mjetet për anashkalimin e censurës duhet të arrijnë te njerëzit që kanë nevojë për to dhe këta njerëz duhet të mund të lidhen me internetin pa u ekspozuar ndaj mbikëqyrjes ose sulmeve”, thekson organizata.

Sipas saj, ofruesit e shërbimeve të internetit duhet t’i bëjnë publike urdhrat për ndërprerjen e internetit që marrin nga autoritetet, si dhe të zotohen se do t’i kundërshtojnë urdhrat që i konsiderojnë joproporcionalë ose të paligjshëm.

Në raportin e këtij viti, Freedom House e pezulloi përkohësisht monitorimin e 34 vendeve.

“Liria në internet” është hulumtimi vjetor i kësaj organizate për të drejtat e njeriut në hapësirën digjitale.

Raporti i fundit mbulon periudhën nga qershori i vitit 2025 deri në maj të vitit 2026.

​
XS
SM
MD
LG